Vetëvendosje diskuton planin strategjik veprues
Ndalja e negociatave me Serbinë dhe e procesit të privatizimit të egër, dëshmimi që Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme dhe e aftë ta qeverisë me vendin, si dhe afirmimi i qendrave të kësaj lëvizjeje si forca opozitare nëpër komuna të Kosovës, sipas Vetëvendosjes përbëjnë planin strategjik të saj për periudhën shtator 2011-mars 2012.
Në fjalimin e tij para këshillit të përgjithshëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti shpalosi programin, qëllimet dhe aktivitetet e Vetëvendosjes gjatë periudhës pas mbajtjes së mbledhjes së dytë të këshillit. Ai ka thënë se Vetëvendosja është subjekti i vetëm që ka kërkuar hapur dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës dhe ri-definimin sipas tij të rolit të faktorit ndërkombëtar në Kosovë.
“Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt i cili e ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhje të reja. Kritika jonë është kritikë, sepse shkon deri në fund dhe fundi duhet të jetë fundi i kësaj qeverie dhe mënyre të qeverisjes. Kjo nënkupton edhe ri-definimin e rolit të faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë, me ç`rast faktorët ndërkombëtarë duhet që të jenë përkrahje e Republikës së Kosovës, dhe jo sundim mbi popullin e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se me hyrjen e Vetëvendosjes në institucione e posaçërisht në kuvend nuk ka ndryshuar lëvizja vetëvendosje, por kanë ndryshuar institucionet të cilat sipas tij janë demokratizuar. Për më tepër, Kurti tha se Vetëvendosja gjatë kësaj periudhe si pjesë e Kuvendit të Kosovës ka kontribuar në demaskimin privatizimit dhe bisedimet me Serbinë.
“Lëvizja Vetëvendosje ka kontribuuar si askush tjetër në diskreditimin dhe demaskimin e privatizimit të egër dhe abuziv, si dhe të bisedimeve me Serbinë. Ne e kemi demaskuar këtë privatizim si shpunësim dhe shpronësim, si shpunësim të qytetarëve të Kosovës dhe si shpronësim të kombit dhe shoqërisë, por i kemi demaskuar edhe bisedimet me Serbinë si bisedim e të cilat e bëjnë shtetin e Kosovës kopje dhe vendin tonë e lënë pa Republikë”, ka thënë ai.
Viti i aktiviteteve të Vetëvendosjes, sipas Kurtit, është kurorëzuar edhe me votimin e mocionit në Kuvendin e Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë gjë e cila sipas tij duhet të zbatohet, pasi është në funksion të shtetit të Kosovës.
“Duke përdorur të gjitha mjetet institucionale, por edhe mjetet jashtë institucionale këtë mocion për reciprocitet të plotë politik ekonomik dhe tregtar, këtë mocion për ndihmë prodhuesve dhe për zëvendësim të të gjitha prodhimeve që na vijnë nga Serbia me prodhime vendore, këtë mocion për aktivizimin e të gjithë mekanizmave shtetëror në funksion të reciprocitetit, në funksion të barazisë, në funksion të shtetit të Kosovës dhe popullit të Kosovës ne do ta çojmë deri në fund”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, nëpërmjet Vetëvendosjes vetëdija kombëtare dhe shoqërore në Kosovë është fuqizuar edhe më tepër.
Mbledhja e këshillit të përgjithshëm të Vetëvendosjes ka vazhduar pa praninë e mediave, ndërsa vendimet që do të merren me këtë rast pritet të shpalosen në një konferencë për media, e cila mbahet në ora 15.00. /kosovapress/