Rrini të qetë

Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë,
KFOR’i ka ndërmarrë të gjitha masat që të jetë i gatshëm për çfarëdo
tensionimi të mundshëm të situatës.
Anders Fogh Rasmussen, Sekretari Gjeneral i NATO’s, u ka bërë thirrje
liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të përmbahen nga deklaratat, por edhe
veprimet unilaterale që mund të rrisin tensionet në këtë situatë delikate.
“Inkurajoj fuqishëm të gjithë liderët dhe të gjitha komunitetet që të
tregojnë përmbajtje gjatë procesit të votimit. Në këtë periudhë kritike
është e rëndësishme që të shmangen çfarëdo vepra dhe deklarata unilaterale,
të cilat mund të rrisin tensionet”, thuhet në deklaratën e Sekretarit të
NATO’s.
Megjithatë, Rasmussen ka paralajmëruar se KFOR’i është plotësisht i
përgatitur dhe ka mandatin dhe të gjitha instrumentet që të veprojë në çdo
moment për të mbajtur qetësi dhe rend, në rast të çfarëdo incidenti që
mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Ai ka rikujtuar se misioni i KFOR’it është të ruajë një ambient të sigurt
për të gjithë njerëzit e Kosovës në mënyrë të paanshme, ashtu siç ka bërë
për një dekadë.
“Unë kam besim të plotë në profesionalizmin dhe gjykimin e Komandantit të
KFOR’it për të përdorur të gjitha mjetet brenda mandatit të tij dhe të
gjitha instrumentet të dispozicion, duke përfshirë Batalionin e Dytë të
Forcës Operacionale Rezervë, që tashmë është dislokuar në Kosovë”, ka
thënë Rasmussen.
Sekretari i NATO’s ka përshëndetur marrëveshjen e arritur me OSBE’në për
mundësimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë.
Për më shumë, ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bashkëpunojnë
me faktorin ndërkombëtar. Sipas tij, e ardhmja e tërë rajonit është
integrimi në hapësirën euro-atlantike.
“Dhe për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të
shmangur çfarëdo dëmtimi të progresit të rajonit drejt këtij qëllimi”, ka
vlerësuar ai.
Lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në
Kosovë e ka përshëndetur edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher
Dell. Sipas tij, kjo paraqet një shembull të mirë të bashkëpunimit mes dy
vendeve fqinje, por se ende është herët të thuhet nëse këto zgjedhje do të
shërbejnë për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve.
"Gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për t’ia lejuar OSBE-së që të lehtësojë
votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë nënvizon
synimin për raporte të mira fqinjësore dhe përkushtimin e saj për
standardet evropiane", ka thënë Ambasadori amerikan.
Duke folur për paralajmërimin e disa serbëve lokalë të pjesës veriore të
Kosovës se më 6 maj, karshi zgjedhjeve parlamentare dhe serbe, të mbahen
edhe zgjedhjet lokale, Dell ka thënë se kjo nismë, edhe nëse ndërmerret,
nuk ka kurrfarë efekti ligjor.
“Ato janë po aq të rëndësishme sa referendumi që ata e patën mbajtur në
shkurt, e të cilin e patën injoruar të gjithë. UNMIK-u, Beogradi dhe e
tërë Bashkësia Ndërkombëtare kanë deklaruar se nuk i njohin si legjitime
këto zgjedhje".