Rriten 3-6 për qind pensionet për 150 mijë persona që dalin në pension pleqërie
Të gjithë personat të cilët do të dalin gjatë këtij viti në pension për herë të parë e që numërohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në një shifër prej 150 mijë persona në të gjithë vendin do ti shtohen kategorive të tjera që më 1 Korrik do të përfitojnë shtesën për pension. Gazeta SOT vë në dispozicion të gjitha kriteret e kushtet, por edhe dokumentacionin
për të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit, të cilët kanë afat për të dorëzuar dosjet e tyre, deri më datat 24-28 të këtij muaji. Më pas të gjitha dokumentacionet do të shqyrtohen nga komisionet e specialistët e ISSH-së, procedurë që zgjat një deri në dy muaj, e më pas do të mund të tërheqin pensionin e parë të tyre bashkë me shtesën e cila sipas llogaritjeve do të jetë 20-30 mijë lekë të vjetra për çdo person. Nga këto shtesa do të përfitojnë personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të plotë në moshën 65 vjeç burrat, dhe 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim. Gjithashtu një pension të veçantë do të përfitojnë nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë, kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie sipas nenit 92, është më e madhe se këto mosha nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni është 0.6 për qind në muaj.
Përfitimet
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, i indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës të personit të siguruar, e cila duhet të jetë më e vogël. Paga neto mesatare e 3 viteve të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar, indeksohet çdo vit sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar. I siguruari qe ka plotësuar kushtet për pension pleqërie të plotë, sipas neneve 31 e 92 të ligjit, merr shtesë, në masën 0.34 për qind të pensionit të plotë, për çdo muaj që vazhdon të punojë dhe paguan kontribute.
DOKUMENTET PËR PENSION PLEQËRIE
Mosha
Certifikatë lindje me fotografi.
Certifikatë e gjendjes familjare.
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindje, martese ose vdekje.
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
Librezë pune ose vërtetim arkivi.
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish anëtarët e saj.
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr 7514 datë 30.09.1991 Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.
Për të ardhurat
Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim.
Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit.
Vërtetim toke në Kadastër.
Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç.
Vërtetim komune për ndihmë ekonomike .
Vërtetim nga tatim-taksat.
Deklaratë.
Arta AGOLLI