E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten import-eksportet në Durrës



Kurbat e grafikëve të importeve dhe eksporteve në portin e Durrësit janë në rritje dhe shpresohet një përshpejtim i tyre sidomos pas datës 15 shtator. Në këtë periudhë përfundon zyrtarisht edhe sezoni turistik veror dhe tregtarët grosistë kudo në Evropë kthehen në punë. Dje në portin e Durrësit gjendeshin në radhë dhe prisnin shkarkimin e mallrave të tyre afro 15 anije mallrash, kurse tri të tjera të huaja prisnin të ngarkoheshin me mineral dhe tjetra po shkarkon grurë. Kjo është një situatë krejt e pazakontë, kanë bërë të ditur punonjësit e ngarkim-shkarkimit.

Edhe në doganë ka nisur sezoni i fluksit të ardhjes së anijeve që zhdoganojnë mallrat e tyre, duke përmirësuar të ardhurat të cilat janë planizuar dhe dërguar nga Ministria e Financave. Ata që kanë hyrë e dalë këtë vit me traget nga porti i Durrësit, kanë vënë re rritje të ankorimit të anijeve me mallra në radhë. Janë anijet e tregtarëve vendas që kanë vajtur në shtete të ndryshme të botës dhe kanë ngarkuar prej andej mallra ushqimore dhe industrial. Një seri mallrash të cilat më parë importoheshin me pakicë dhe sillnin të ardhura më për doganën e Durrësit kanë pësuar rritje të ndjeshme. Kështu janë automobilat e përdorur, produktet elektroshtëpiake, nafta D-2, materialet e ndërtimit, plehrat kimike për bujqësinë, pijet alkoolike, frutat ekzotike e të tjera të cilat ose hyjnë me pakicë ose nuk futen fare. Ndërkohë, rritje të fortë ka pësuar edhe sektori i eksportit. Grafikët flasin për rritje të eksportit të konfeksioneve të cilat ose prodhohen me porosi ose mbajnë vulën e firmave tona, të prodhimeve të porositura për industrinë e këpucëve, eksporti i skrapit të zi dhe atij me ngjyrë si dhe ai i produkteve bujqësore.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar importet janë rritur në masën 30% dhe eksportet 40%. Shkak për këto të fundit ka qenë rritja e kërkesave nga operatorët e huaj, por edhe normaliteti i çmimeve të tyre në bursë. Një situatë e tillë ka krijuar punë edhe për agjencitë e transportit detar dhe anijet e transportit.

Operatorët e portit shprehen: “Një gjallërim të mëtejshëm të situatës e presim pas datës 15 shtator, kohë kur tregtarët grosistë nga vende të ndryshme të Evropës u kthehen punëve të tyre”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›