E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 milionë euro për vaksinat e gripit të derrit



Tre milionë euro janë vendosur në dispozicion për blerjen e vaksinave kundër gripit të derrit, që do të vlejnë për një të tretën e popullsisë, që sipas përllogaritjeve, do të vaksinohet nga kjo sëmundje. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, që konfirmoi dje se fondi është gati dhe pritet thjesht nënshkrimi i marrëveshjeve, që do të ndodhë brenda pak ditësh.

Vendi ynë duket se ka siguruar një sasi të mjaftueshme të vaksinës së gripit të derrit, që pritet të shpërndahet përgjatë muajit nëntor nga kompanitë farmaceutike. Në total, bëhet e ditur se vendi ynë është gati të përfitojë rreth 1 milion e 200 mijë vaksina, çka shihet si një sasi e mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë popullatës që ka rrezik nga prekja e gripit të derrit.

Prej kësaj sasie, 600 mijë vaksina pritet të porositen nga qeveria gjermane në shërbim të qeverisë shqiptare. Kjo, pasi Gjermania do të porosisë më shumë se 40 milionë vaksina dhe kompanitë farmaceutike u japin më shumë përparësi këtyre sasive sesa sasive që mund të porositen nga vende të vogla si Shqipëria.

Pjesa tjetër e vaksinave pritet të sigurohet nga Hungaria dhe nga Kroacia. Drejtorja e Institutit të Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë, njëkohësisht një nga kandidatet më të forta për postin e drejtores së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për Evropën Juglindore, i kishte premtuar qeverisë shqiptare se do të ndërhynte në kompanitë farmaceutike të Hungarisë, që të siguronin këtë sasi për vendin tonë. Ndërkohë, 300 mijë vaksinat e tjera janë siguruar nga negociatat e zhvilluara mes vendit tonë dhe një kompanie farmaceutike me bazë në Kroaci.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë deklaroi edhe dje se periudha më e vështirë për vendin dhe qytetarët do të jetë vjeshta, ku pritet përhapja masive e gripit të derrit në popullsi. Megjithatë, sipas saj, për aq sa virusi nuk egërsohet, përhapja masive nuk përbën alarm. I vetmi problem që shohin drejtuesit e shëndetësisë në vend, është ndryshimi gjenetik i virusit dhe egërsimi i tij, çka është e paparashikueshme.

Vaksinat e gripit të derrit janë shoqëruar me polemika në shumë vende; kjo, pasi kompanitë farmaceutike duket se kanë favorizuar shtetet në të cilat ndodhen për kontratat e porosisë, duke lënë pas dore vende të vogla si Shqipëria apo vende ku nuk ekzistojnë kompani të tilla farmaceutike, si Turqia. Megjithatë, duket se vendi ynë tashmë ka siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave.

Durrës, vera e përgjakur nga aksidentet

Ky sezon veror mund të deklarohet nga uniformat blu të Policisë së Qarkullimit Rrugor, si më e përgjakura nga aksidentet. Gjatë gjithë sezonit veror ata kanë punuar nga 12 deri 14 orë në ditë për shkak të ngarkesës së madhe nëpër rrugët e qytetit. Për rrugorët kjo verë do të mbahet mend jo vetëm për numrin e madh të aksidenteve, por dhe për shkeljet e panumërta të kodit rrugor nga ana e drejtueseve të automjeteve. Uniformat blu të Qarkullimit Rrugor shprehen “se emigrantët të cilët erdhën me makina në vendin e tyre për të kaluar pushimet e verës, ishin më problematikët pasi nuk donin t’ia dinin për rregullat e qarkullimit rrugor”. Nga ana e saj, Policia Rrugore vendosi një numër rekord gjobash gjatë këtij sezoni. E megjithatë, masat e marra nga aksidentet në rrugë u regjistruan mbi 20 të vdekur dhe 40 të plagosur. Durrësi, duke qenë qytet-porti më i madh i vendit, ka pasur edhe dyndjet më të mëdha nga makinat e ardhura nga tragetet e linjave me Italinë. Porti është nyja, e cila lidh jugun me veriun e vendit, duke përballuar një fluks të madh automjetesh me targa të huaja. Makinat në pjesën më të madhe u përkisnin emigrantëve që zbarkonin në portin e Durrësit si dhe atyre që vinin nga kufiri me Greqinë. Edhe pse akset rrugore u mbuluan me shërbime policore të lëvizshme dhe me postblloqe fikse, u konstatuan me mijëra shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtueseve të automjeteve. Sipas policisë, më problematikët vazhdojnë të mbeten emigrantët tanë në Greqi të cilët gjatë rrugës për të shkuar nëpër qytetet e tyre në zonën veriore të vendit, konsuamuan me shumicë shkelje të Kodit Rrugor. Shkeljet e tyre nisnin me mosrespektimin e vendosjes së rripit të sigurimit, me lëvizjen me shpejtësi mbi normën e vendosur, me përdorimin e pijeve alkoolike në timon, me parakalimet e gabuara, me parkimet vend e pa vend si dhe të tjera të kësaj natyre. Policët rrugorë në këtë përballje, vetëm gjatë muajit gusht, vendosën mbi 5 mijë gjoba dhe bllokuan mbi 600 dokumente automjetesh, të cilat i përkisnin pikërisht kësaj kategorie njerëzish. Bëhet e ditur se janë vjelë rreth 90% e gjobave të vëna. Rezultat i shkeljeve të qarkullimit rrugor ka qenë numri i madh i aksidenteve me vdekje dhe i atyre me të plagosur rëndë. Pa dyshim se kjo verë ka qenë më e përgjakshmja në historinë rrugore të Durrësit. Gjatë periudhës qershor-gusht, nëpër rrugët e Durrësit gjetën vdekjen 21 vetë dhe u plagosën 40 të tjerë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin pjesëtarë të automjeteve të aksidentuara. Numri i tyre është 15, ndërsa 6 është numri i kalimtarëve të aksidentuar me vdekje, të parët u aksidentuan kryesisht në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa të tjerët mbetën viktima nëpër rrugët nacionale të bregdetit.

A. Ajazi

Ujë Erzeni për Durrësin dhe Plazhin

Brenda vitit 2009, ashtu siç edhe kishte deklaruar Kryeministri i vendit, z. Berisha, do të nisë për Durrësin investimi për furnizimin me ujë të pijshëm non stop 24 orë. Tashmë mbetet detyrë urgjente e specialistëve të kësaj fushe, të cilët i kanë kthyer sytë drejt burimit më të vjetër për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të Durrësit dhe të plazhit. Më në fund është menduar për hartimin e strategjisë që do të sigurojë ujë të bollshëm për familjet durrsake si dhe të zonave rreth tij. Tashmë, kur stina e nxehtë po konsumon ditët e fundit të saj, specialistët po mendojnë t’i japin një zgjidhje problemit më të mprehtë të Durrësit, atij të furnizimit me ujë të pijshëm. Vera që po mbyllet, nxori në pah probleme të mëdha për sa i përket furnizimit me ujë të qytetit, rrethinave të tij, zonës së plazhit dhe asaj të ish-Kënetës. Banorët e këtyre zonave po e sigurojnë ujin ashtu si munden, nëpër çezma kolektive apo duke vënë në punë elektropompa portative, të cilat i montojnë përgjatë tubave të ujit, ndërsa plazhistët janë detyruar që ta blejnë ujin me autobote.

Në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës shprehen se “specialistë të Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, prej nga ku ajo varet, kanë nisur të mendojnë për hartimin e strategjisë së furnizimit me ujë të Durrësit”. Për këtë qëllim ata kanë menduar të shfrytëzojnë ujin e lumit Erzen i cili shumë vjet më parë furnizonte një pjesë të Durrësit nëpërmjet impiantit të ndërtuar që në vitin 1941. Për këtë qëllim është ngritur një grup pune, i cili do të merret me projektin e Erzenit. Projekti do të kushtojë 80 milionë dollarë dhe do të përfshijë ndërtimin e një dige për grumbullimin e ujit, impiantet e pastrimit të tij, elektropompat për ta vënë në lëvizje si dhe rrjetin e tubacioneve të shpërndarjes. Për hartimin e projektit do të shpallet tenderi përkatës. Edhe pas ndërtimit të ujësjellësit të Erzenit, një pjesë e nevojave të banorëve të Durrësit do të vazhdojë të plotësohet nga burimi i Fushë-Kuqes. Me ujin e Erzenit mendohet të plotësohen nevojat e zonës periferike të Durrësit, të banorëve të kodrave, të disa fshatrave pranë tij, të plazhit dhe të zonës së plepave. Projekti do të jetë gati në fillim të vitit 2010. Specialistët e ujësjellësit sqarojnë shkakun e përzgjedhjes së Lumit Erzen për të zgjidhur këtë nevojë jetike për 100 mijë banorë. Ai është një burim që ndodhet fare pranë Durrësit dhe nuk ka nevojë për shtrirje tubacionesh sikurse ngjet me Fushë-Kuqen, e cila është 45 km larg qytetit të Durrësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›