Shkolla, rregullore për mbrojtjen nga gripi i derrit
Nisja e vitit arsimor 2009-2010 (14 shtator) nuk do të shtyhet për shkak të përhapjes së virusit A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Ndërkohë, mjekët e shkollave dhe promocionit pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe kanë marrë nga specialistët e shëndetit publik udhëzimet përkatëse për masat për parandalimin e virusit, si dhe mënyrën e sjelljes në raste të prekjes prej tij.
"Bazuar në situatën epidemiologjike në vend dhe në të dhëna shkencore për sjelljen e virusit është mendimi unanim i të gjithë ekspertëve që shkollat do të hapen në kohën e duhur", - tha drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, gjatë një seminari të zhvilluar me mjekë të shkollave.
Sipas tij, nuk ka arsye të marrim masa që kanë të bëjnë me vonesën e hapjes së shkollave. "Ne rekomandojmë dhe këshillojmë institucionet arsimore, por dhe strukturat tona dhe gjithë popullatën në përgjithësi për të pasur kujdes", - tha Bejtja. Kujdesi, sipas tij, duhet të konsistojë në disa drejtime kryesore, një ndër të cilat, respektimi i rregullave bazë të higjienës personale dhe kolektive, që duhet të jenë në nivelet më të larta të mundshme.
"Çdo individ duhet të mbulojë fytyrën kur teshtin apo kollitet, të hedhë facoletën e përdorur në vendin e duhur, të lajë duart sa herë kollitet e teshtin apo sa herë prek fytyrën, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj një shoku apo shoqeje, tek i cili konstatohet sëmundje të infeksioneve respiratore të poshtme dhe sipërme, me shenja si kollë, temperaturë, dhimbje gjoksi etj.", - theksoi Bejtja. Ai këshilloi se "nëse një nxënës apo mësues konstaton se ka shenja të tilla, kollë dhe temperaturë, është e këshillueshme që ai të mos shkojë në shkollë, por të vetizolohet, të qëndrojë në shtëpi dhe të kërkojë ndihmën mjekësore, derisa të shërohet dhe të zhduken shenjat që shfaq".
Në seminar, epidemiologu Dritan Ulqinaku foli për situatën epidemiologjike të virusit A (H1N1) në vend. Ai sqaroi mjekët për simptomat e gripit të zakonshëm dhe atij H1N1, duke theksuar se ky virus ka karakteristika të tjera nga gripi i zakonshëm. Sipas tij, jo vetëm institucionet shëndetësore, por të gjitha strukturat e shtetit duhet të përgatiten në rast pandemie.
Shefja e Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Jeta Lakrori, prezantoi për mjekët fletëpalosjet e përgatitura për nxënësit e shkollave, si dhe posterat përkatëse.
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit dhe Shkencës po bashkëpunojnë ngushtësisht në mënyrë që fëmijët të marrin informacionin e duhur për parandalimin e infeksionit të mundshëm nga ky virus. Ndër masat e marra ndaj virusit A (H1N1) në shkolla është edhe raportimi i vazhdueshëm i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mungesat e tyre dhe arsyet pranë autoriteteve shëndetësore, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës.
Kaloritë ndikojnë në jetëgjatësi
Gjatë studimit, shkencëtarët vunë re se 37 për qind e majmunëve që hëngrën aq sa deshën, vdiqën pas 20 vjetësh, nga shkaqe që lidheshin me moshën, ndërkohë që vetëm 13 për qind e majmunëve që iu nënshtruan një diete të rreptë, vdiqën gjatë së njëjtës periudhë.
Gjithashtu, shkencëtarët vunë re se majmunët që ndoqën dietë, u prekën 50 për qind më pak nga sëmundje të zemrës dhe kanceri dhe mes tyre nuk pati asnjë rast diabeti. Ky studim nxjerr edhe një herë në pah debatin e hershëm se kaloritë e larta ndikojnë në shkurtimin e jetës.
Ndikimi i kufizimit të kalorive në jetëgjatësi ka qenë objekt studimi që në vitet 1930 dhe studime të ngjashme kanë treguar se pakësimi i kalorive tek disa kafshë zgjat jetën e tyre.
Shkencëtarët aktualisht po studiojnë efektet e dietave tek njerëzit, megjithëse kjo nuk është e lehtë, sepse dieta mes njerëzve është më e vështirë për t’u kontrolluar dhe njeriu jeton më gjatë sesa kafshët.
30 rastet e prekura nga gripi
Në vendin tonë nuk janë konfirmuar deri tani raste të reja të prekura me virusin A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrave, duke mbajtur të pandryshuar numrin zyrtar prej 30 vetësh, bëri të ditur të enjten Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërkohë, sipas buletinit nr. 14 të ISHP-së, të publikuar dje, pritet përgjigja e analizave edhe për 20 raste të dyshuara për këtë virus, mostrat e të cilëve janë dërguar në Laboratorin e Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht (Rumani).
Për rastet e dyshuara, sipas ISHP-së, mostrat për 14 raste janë marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 3 në Spitalin Pediatrik në QSUT, 1 në Spitalin Pneumoftiziatrik, 1 në spitalin e Durrësit dhe 1 në Gjirokastër.
Numri i mostrave të mbledhura në të gjithë vendin deri në datën 9 shtator është 662, ndërkohë që numri më i madh i tyre është marrë në Spitalin Infektiv (345 të tilla).
Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara.
Rasti i parë i prekur me virusin A (H1N1) në vendin tonë u konfirmua në 20 korrik, pas mbërritjes së rezultateve të analizave nga Laboratori i Referencës në Rumani. I prekuri ishte një student 20-vjeçar nga Gjirokastra, i cili ishte paraqitur në Spitalin Infektiv pranë QSUT-së me shenja të gripit të zakonshëm. Ky rast, sipas specialistëve, nuk kishte lidhje epidemiologjike me vendet e prekura apo kontakte me të sëmurë që mund të kenë ardhur nga jashtë.