E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten interesat e bonove te thesarit

Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për bonot me afat maturimi 12 mujor ishte 7.65%, nga 7.56% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 11 miliardë lekëve dhe u pranuan 33 oferta financimi, nga 41 të paraqitura gjithsej.

Ndonëse oferta për financim të borxhit nuk mungon, interesat vazhdojnë të rriten. Kjo prirje ndodh për disa arsye. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajin prill duket se ka pasur një efekt në tregjet financiare. Shpenzimet e qeverisë shqiptare në gjysmën e parë të vitit kanë përkeqësuar treguesit fiskalë dhe kanë rritur deficitin buxhetor. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe situata e tendosur e borxheve publike në disa vende të Eurozonës.

Bankat që financojnë borxhin publik të Shqipërisë janë në pjesën më të madhe banka me kapital të huaj. Përkeqësimi i mjedisit financiar në Europë bën që perceptimi i rrezikut të rritet edhe në vlerësimet për çmimin e financimit të borxhit publik në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka paralajmëruar shkurtim të shpenzimeve në gjysmën e dytë të vitit, me qëllim mbajtjen e deficitit pranë kufirit 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›