Rriten prurjet ne liqene

Prurjet në basenin më të madh të vendit në Fierzë, pavarësisht rritjes së temperaturave shënojnë një rritje minimale. Sipas Korporatës Elektro Energjitike Shqiptare, ditën e shtunë prurjet mesatare në Fierzë arrijnë në 70 metra kub në sekond, nga 60 metër kub që rezultonin disa ditë më parë, ndërsa niveli i ujit në liqen arrin në 255 metra. Sipas KESH sasia e prurjeve në hidrocentrale vijon të jetë e ulët krahasuar me ato stinore. Dëbora në pjesën më të madhe të veriut të vendit ende nuk ka shkrirë plotësisht që të ndikojë në rritjen e sasisë së ujit të derdhur në hidrocentrale. Por ndryshe nga gjysma e parë e muajit shkurt, konsumi i energjisë në vend është ulur për shkak të rritjes së temperaturave.