E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten shqetësimet për lirinë e medies në Shqipëri

Nga Gjergj Erebara

Largimi i një gazete nga mjediset e punës shihet si një rritje e presionit të qeverisë Berisha ndaj zërave kritikë. Botuesi i një gazete kryesore shqiptare akuzon qeverinë se po e mbyll atë në mënyrë të paligjshme, për shkak të publikimit të skandaleve dhe korrupsionit.

Gazeta “TemA” është përqendruar te raportimet investigative, shumica e artikujve të saj sulmojnë qeveritarët për korrupsion. Të premten e shkuar, policia e nxori gazetën nga zyrat e saj, pavarësisht se ka një vendim gjykate kundër largimit.

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka mohuar të gjitha akuzat dhe akuzoi botuesin e gazetës si vegël të liderit të opozitës socialiste, Edi Rama.

Megjithëse qeveria pretendon se po e nxjerr gazetën nga mjediset e saj për arsye të sigurisë kombëtare, shumë vëzhgues e shikojnë atë si shenja më e fundit e rritjes së presionit politik ndaj zërave të pavarur.

Konflikti u përshpejtua më 16 dhjetor, kur Ministria e Ekonomisë anuloi në mënyrë të njëanshme një kontratë 20-vjeçare, që e përditshmja e kishte bërë për mjediset e saj me pronar shtetin. Kjo e shtyu gazetën të hapte një padi.

Në fillim të kësaj jave, gjykata urdhëroi ministrinë të ndalojë procesin e nxjerrjes së gazetës nga mjediset, por të premten, policia rrethoi zyrat e “TemA”-s dhe i ndaloi me forcë gazetarët të hynin mjediset e tyre.

“Rrethimi policor i papritur dhe arroganca e kryeministrit në përpjekje për të na mbyllur gojën, siç duket, nuk njeh kufij”, - shkroi botuesi i “TemA-s”, Mero Baze, në një deklaratë pas veprimit të policisë.

BMW luksoze e Bazes u dogj në prag të Vitit të Ri, një veprim që Baze e quajti sulm, ndërsa policia e përshkroi si djegie për shkak të një qarku të shkurtër elektrik.

Ministria e Ekonomisë e mohoi që vendimi i nxjerrjes nga mjediset të ishte i motivuar politikisht dhe me anë të një deklarate të dielën, pretendoi se nuk kishte marrë asnjë vendim gjykate, ndërsa anulimi i kontratës ishte “i domosdoshëm për nevoja publike”.

Berisha u rikthye në pushtet në Tiranë në vitin 2005 me platformën e “Duarve të pastra”, duke premtuar ta shpëtonte vendin nga korrupsioni i thellë që e kishte molepsur që pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991. Por kundërshtarët e tij pretendojnë se korrupsioni në Shqipëri vetëm është keqësuar.

Gjatë mandateve të tij si rezidenti i parë postkomunist në Shqipëri, ai u akuzua për ushtrim presioni ndaj gazetave dhe sulme ndaj gazetarëve përmes shërbimeve të fshehta, akuza që ai i mohon.

Pas rikthimit të tij në pushtet në vijim të tetë viteve të trazuara në opozitë, konfliktet e tij me mediet u përshpejtuan sërish. Gjatë tre viteve të fundit ai i ka thirrur gazetarët “anëtarë të krimit të organizuar”, “goblins” dhe “kukulla të opozitës”.

Në vitin 2007, qeveria e tij e dënoi me 13 milionë dollarë për evazion fiskal “Top Median”, grupin mediatik më të madh në vend. Gjoba nuk u grumbullua ndonjëherë dhe nuk dihet nëse është ende në fuqi, megjithëse televizioni i këtij grupi, “Top Channel”, që atëherë i ka ulur tonet kritike ndaj qeverisë.

Në 2008, ai gjobiti një tjetër stacion televiziv, “News 24”, me 8000 euro, për transmetim të një reklame satirike që imitonte një reklamë të kryeministrit të financuar nga fondet publike.

Analistët e medies, botuesit dhe shoqatat joqeveritare e kanë përshkruar dëbimin e “TemA”-s nga mjediset si një paralajmërim të qeverisë për ata që ose e kritikojnë, ose hetojnë skandalet e saj.

Unioni i Gazetarëve e dënoi ndërhyrjen e policisë dhe tha se liria e medies në vend ishte e kërcënuar. “Veprime të tilla na futin në listën e vendeve me probleme në lidhje me lirinë e medies”, - tha Aleksandër Çipa, kreu i unionit.

Analisti politik Mentor Nazarko tha se ky rast ishte ilustrim i presionit financiar që politikanët përdorin në Shqipëri ndaj medies shqiptare.

“Politikanët kanë frikë, kur gazetarët hetojnë korrupsionin”, - deklaroi Nazarko. “TemA” e kritikonte fuqishëm qeverinë e mëparshme dhe u padit në gjykatë dhe kur filloi të hetojë qeverinë e tanishme, qeveritarët gjetën një rrugë tjetër për ta heshtur”, - tha ai.

Megjithëse vendi me tre milionë banorë ka më shumë se 20 gazeta të përditshme kombëtare dhe qindra botime lokale e revista, Shqipëria ka liri shtypi më pak se shumë vende të tjera në Ballkan, sipas indeksit “Liria e shtypit” i organizatës “Reporterë pa kufij” për 2008. Shqipëria renditej e 79 në 179 vende në raport, i cili mbulon 12 muaj, deri më 1 shtator 2008.

Raporti thekson se mediet përkrahin një krah politik apo një tjetër, ndërsa gazetarët përdorin vetë-censurë rëndom për të mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të punëdhënësve të tyre.

“Ndodh vazhdimisht që gazetarët të fshehin faktet me vetëdije që ata i mendojnë se janë shumë të rrezikshme për t’u botuar”, - tha Arion Sulo, kryeredaktor i të përditshmes “Korrieri”

“Gjëra të tilla janë të kuptueshme, duke pasur parasysh që partnerët në biznes të zyrtarëve të korruptuar janë thjesht banditë”, - shtoi ai.

Presioni që vjen nga rrethet politike është shpesh kaq i fortë, saqë redaktorëve iu duken redaksitë të kthyera në instrumente propagande.

“Politikanët nuk duan t’i përdorin vetëm për interesat e tyre, ata duan të kontrollojnë gjithçka”, - tha Eltion Hoxha, ish-kryeredaktor i lajmeve në televizionin publik shqiptar, TVSH. “Ne nuk mundeshim të aplikonim qoftë edhe standarde gazetarie minimale për shkak të presionit politik.”

Baze tha se armiqësia e qeverisë kundër “TemA-s” ishte një përpjekje e qartë për të frikësuar gazetarët për hetimin e skandaleve. “Kërcënimi nuk drejtohet vetëm ndaj meje, por kundër gjithë gazetarëve në këtë vend”, - tha ai.

Gjergj Erebara është redaktor i portalit “albanianeconomy.com“. Ky shkrim është marrë nga “Balkan Insight”, botim elektronik i “Balkan Investigative Reporting Network”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›