E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet kolonel David Smiley

Nga telegraph.co.uk

Kolonel Devid Smajli (David Smiley), i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 92-vjeçare, ishte një nga agjentët më në zë të Luftës së Dytë Botërore. Ai ka shërbyer prapa vijave armike në Abisini, Greqi, Shqipëri dhe në Tajlandën e kontrolluar nga Japonia.

Pas luftës, ai organizoi operacione sekrete kundër rusëve dhe aleatëve të tyre në Poloni, Shqipëri e shumë vende të tjera. Më vonë, pasi erës së dominimeve angleze në gadishullin arabik po i afrohej fundi, ai komandoi forcat e armatosura të Sulltanit të Omanit në një kundër-kryengritje.

Pas shërbimit në Oman, ai organizoi së bashku me shërbimin inteligjent britanik MI6, një rezistencë guerilase ruajaliste kundër regjimit naserit që mbështetej nga sovjetikët. Përpjekjet e Smajlit ndihmuan tërheqjen e egjiptanëve dhe mentorëve të tyre sovjetikë, duke i dhënë jetë një qeverie më pak anti-Perëndim, dhe duke i krijuar atij reputacionin e njërit prej ekspertëve më të mirë britanikë të pasluftës.

Në një stil më konvencional, duke qenë në krye të Rojeve Kalorësiake Mbretërore, Smajli kalëronte bri Mbretëreshës si komandant i rojeve të saj gjatë kurorëzimit të saj në vitin 1953.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u parashutua katër herë prapa vijave armike. Në një nga këto misione atij i’u desh të largohej nga Shqipëria me një varkë me lopata. Në një mision tjetër, në Tajlandën Lindore, të kontrolluar nga japonezët, ai u transportua me barrelë nëpër xhungël për tre ditë me djegie serioze, pasi një minë kurth që ishte ngritur për një oficer japonez shpërtheu para kohe.

Edhe pse një ushtar i thjeshtë, atij i ngarkoheshin detyra të vështira nga M16. Si një atashe ushtarak në Poloni pas luftës, kur komunistët e kontrolluar nga Sovjetikët po e forconin kontrollin e tyre, ai u rrah dhe u dëbua si një spiun, pas një operacioni që ai drejtonte, ishte dënuar një anëtar i byrosë politike.

Pas kësaj ai drejtoi anën britanike të një operacioni anglo-amerikan për të destabilizuar regjimin e sapo ngritur komunist në Shqipëri, të drejtuar nga i pamëshirshmi Enver Hoxha. Por Kim Filbi, që po punonte në sekret për rusët, ishte kontakti midis britanikëve dhe amerikanëve. Pothuajse të gjithë 100 agjentët e hedhur me parashuta ose të ardhur me anije, u torturuan ose u pushkatuan. Ky dështim e ngacmoi Smajlin gjatë gjithë jetës së tij.

Bëmat e Smajlit kanë bërë që shumë të sugjerojnë, së bashku me disa kandidatë të tjerë, se ai ka qenë një model për Xhejms Bondin. Dhe mendohet gjithashtu se Xhon Le Kare, edhe pse pa vetëdije, ka marrë emrin e heroit të tij nga Smajli në jetë reale.

I lindur në 11 Prill 1916, Devid dë Krespinji Smajli ishte djali i vogël e Sër John Smajli dhe Valerisë, vajzës së vogël të Sër Klod Kampjo dë Krespinji, një kalorës me nam, drejtues balone, një sportist polivalent dhe aventurier.

Pas kolegjit detar Pangborn, ku shkëlqeu në sport, Devidi vajti në Send’herst në 1934. Ai shërbeu në marinë nga 1936-39, i bazuar më së shumti në Uindsor, duke bërë jetën e një aviatori që njeh mirë qytetin, dhe kishte në pronësi një Bentli dhe një aeroplan Uhitni Strejt. Pak para fillimit të luftës, ai fitoi shtatë gara sipas rregullave kombëtare të gjuetisë. Gjatë gjithë jetës së tij, Smajli do të thyente më shumë se 80 kocka, më së shumti si rezultat i sportit, në dy raste ai theu kafkën e tij, një herë në një garë vrapimi të distancës së gjatë dhe një herë në Tajlandë, pasi u hodh në një pishinë pothuajse bosh gjatë natës.

Pas luftës, ai mbajti rekordin e më shumë rrëzimeve gjatë një sezoni skish në Garën e Shën Moricit; ai përfaqësoi Kenian (ku ishte pronari i një ferme) në Lojërat e Komonuellthit të Dimrit në 1960.

Pasi filloi lufta, marinarët lundruan për në Palestinë, ku një nga detyrat e para të Smajlit, si lejtnant, ishte të qëllonte 40 kuajt e tyre kur u morr vesh se ata nuk do t’i nevojiteshin në luftën moderne. Prezantimi i tij me luftën ndodhi mes forcave franceze Vishi në Siri. Ai u dekorua për kurajo të veçantë për punën e tij zbuluese afër Palmirës.

Kur Romeli çau frontin, ata u nisën për Kajro. Tre muaj më vonë Smajli komandoi një skuadron makinash të blinduara në betejën e El Alamejnit, përplasja e fundit në luftë të drejtpërdrejtë.

Pas një trajnimi në një shkollë për agjente sekretë në Haifa dhe pas një kursi parashutimi me shokun e tij Devid Stërling të Shërbimit Special Ajror (SAS) afër kanalit të Suezit, Smajli hyri në Shërbimet e Posaçme Sekrete (SOE), një organizatë e ngritur nga Curcilli që ta “ndiznin” Evropën duke ndihmuar partizanët të sabotonin infrastrukturën naziste. Ai u parashutua me mikun e tij Neil (Bili) MekLin në malet e Shqipërisë, në atë kohë të okupuar nga italianët (dhe më vonë gjermanët). Për tetë muaj ai organizoi partizanët e shpërndarë në një seri kurthesh dhe aktesh sabotimi (shpërthim ure, herë herë duke u ngjitur nëpër to natën kur trupat gjermane po patrullonin mbi to, duke e bërë këtë një taktikë të njohur të Smajlit). Ai u dekorua përnjëherë me Kryqin e Ushtrisë. Në fillim të 1944 ai u parashutua edhe një herë në Shqipëri, me MekLin dhe Xhulian (me vonë Lord) Emeri, për të komunikuar me guerilat e Mbretit Zog.

Pasi u largua nga Shqipëria, ai u trasferua tek seksioni siamez i SOE, i njohur si Forca 136 në Lindjen e Largët, ku bashkëpunoi me guerilasit kundër japonezëve që drejtonin vendin me anë të një qeverie kukull. Ai u plagos pikërisht atëherë nga shpërthimi i parakohshëm i minës kurth.

Pasi u shërua në Shtëpinë Qeveritare në Kalkutë, ku ai shoqëroi si Nehrun dhe Gandin, ai u parashutua pas vijave armike në Siamin lindor, pak kohë pas bombës atomike dhe dorëzimit të Japonisë, ku ai organizoi lirimin e shumë kampeve të luftës, bashkë me kampin që filmoi urat në lumin ku ai është bazuar. Edhe pse një major ai personalisht mori dorëzimin e divizionit të 22-të të Ushtrisë Perandorake Japoneze.

Nën urdhrat e Lordit Mountabaten, Smajli e riarmatosi kompaninë Japoneze dhe i drejtoi ata kundër komunistëve të Vietnamit (që më vonë u bënë Vietkongët) në Indokinën franceze. Midis bëmave të tjera ai liroi 120 gra dhe fëmijë francezë që ishin marrë rob nga komunistët. I vetmi oficer Britanik në një zonë me madhësine e Uellsit, atij i’u dorëzua Vientiane, kryeqyteti i Laosit, nga një gjeneral japonez. Për aktivitetin e tij në Siam dhe në Indokinë Smajli mori Urdhërin e Oficerit të Perandorisë Britanike (OBE).

Ai më vonë deklaroi se vietminhet ishin të mbeshtetur nga OSS (pararëndësi i CIA-s); Smajli tregonte kujdes nga ajo që ai e konsideronte entuziazmin naiv amerikan për demokratët e vetëshpallur dhe armiqësinë ndaj Perandorive britanike dhe franceze.

Pas bëmave të pasluftës në Poloni dhe përpjekjeve për të dëbuar komunizmin në Shqipëri që u tradhëtua nga Filbi, Smajli i’u rikthye detyrave më të lehta në Gjermani dhe në komandën e tij të Bluve në Uindsor.

Në 1955 ai u bë atasheu ushtarak në Suedi, nga ku bënte udhëtime sekrete me familjen e tij në kufirin rus me Finlandën dhe Norvegjinë. Por maja e karrierës së tij të pasluftës ishte komandimi trevjeçar i forcave të armatosura të Sulltan Muskatit të Omanit gjatë luftës civile që rrezikoi të shkatërronte një nga aleatët më reaksionarë britanik të Gjirit.

Pasi u largua nga Omani në 1961, atij i’u ofrua komanda e SAS, por vendosi të tërhiqej nga Ushtria Britanike dhe shkroi disa reportazhe për udhëzuesin e ushqimit të mirë të Rejmond Postgeijt.

Nuk pati mundësi të qetësohej për shumë kohë, brenda dy vjeteve ai u bind të ndihmonte forcat mbretërore në Jemen. Duke komunikuar me mbretin Faizal të Arabisë Saudite dhe MI6-ën, që organizoi anëtarë të mëparshëm të SAS si edhe mercenarë të tjerë që ta shoqëronin, Smajli bëri 13 udhëtime në Jemen nga 1963-68.

Shpesh i maskuar si vendasit, Smajli udhëtonte në këmbë ose me gomar për javë të tëra nëpër terrenin më të vështirë arabik. Ai fitoi admirimin e kolegëve të tij, si arabë dhe britanikë, për ashpërsinë e tij, të qenit i prerë, si dhe për mprehtësinë si këshilltar. Mbreti Faizal, të cilin Smajli e admironte, ia shprehu këtë vlerësim personalisht.

Pasi përfundoi karierën arabike, Smajli u transferua në Spanjë ku për 19 vite ai rriti ullinj, karota dhe lajthi, dhe vazhdoi të këshillonte anti-komunistët shqiptarë që kishin mbijetuar, që në atë kohë ishin të gjithë të arratisur, para se të kthehej të jetonte në Somerset dhe Erls Kort.

Ai e priti me shumë gëzim kthimin e tij në 1990 në Shqipëri, pasi regjimi komunist që e kishte dënuar atë me vdekje në mungesë, po rrëzohej. Ai krijoji miqësi me liderin e parë post-komunist, Sali Berisha.

Smajlit i’u dha titulli Kalorës i Urdhërit të Shpatës në Suedi dhe Urdhëri i Lartë i Skëndërbeut në Shqipëri.

Në 1947 ai u martua me Mojrën, vajzën e Lordit Francis Skot, djalit të Dukës së 6-të të Buklysh. Ai la pas gruan, dy djemtë, një nip dhe mbesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›