E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rudnap” e Fazlliçit mori 106 milionë euro nga arka e shtetit

Nga Luljeta Progni

Kompania “Rudnap”, në pronësi të sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i ka marrë shtetit për vitin që shkoi 67 milionë euro, duke qenë kompania kryesore që na ka sjellë energji, ndërsa në total për dy vitet e fundit ajo ka marrë nga arka e shtetit shqiptar rreth 106 milionë euro. Në fakt, nuk ka qenë kompania që ka ofruar çmimin më të mirë apo kushtet teknike më të përshtatshme, por motivi ka qenë i thjeshtë, ajo është një kompani në pronësi të mikut serb të kryeministrit.

Dy vite më parë kjo kompani nuk gjendej në listën e kompanive që sillnin energji në Shqipëri.

Denoncimi i këtyre të dhënave është bërë nga nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe. “Dua të risjell në vëmendjen e opinionit publik çështjen e trafikut të influencës, të konfliktit të interesave, të përfitimeve të paligjshme, të dhunimit të konkurrencës, pastrimit të parave, pasurimit abuziv, që ka në qendër 2 personazhe, Sali Berishën-kryeministër në detyrë dhe Damir Fazlliç, i shpallur nga ai pari, mik i tij i veçantë, me status zyrtar “biznesmen” dhe me status penal i “hetuar nga drejtësia”.

Këto janë faktet e reja dhe mbulojnë aktivitetin e përbashkët ekonomik gjatë vitit 2008.

Gjithë shqiptarët e kanë në mendje Sali Berishën, me dëshminë e tij unike, duke u mbrojtur nga akuzat për lidhje të dyshuara korruptive me shtetasin Damir Fazlliç, kur tha se “ai nuk i kishte dhënë asnjë qindarkë nga paratë publike mikut të tij dhe se ky nuk kishte përfituar asnjë qindarkë nga miku i tij kryeministër.”

Sipas Berishës, nëse do ndodhte kjo, cilido kishte të drejtë të akuzonte.

Përgjatë vitit që shkoi, ne provuam se kompania tregtare “Rudnap”, nën pronësi edhe të Damir Fazlliç, për vitin 2007 ka marrë nga paratë publike të energjisë 38.5 milionë euro.

Por tani kemi të dhëna të reja të bilancit të vitit 2008.

Kompania tregtare “Rudnap” ka marrë nga paratë e energjisë, për periudhën janar-shtator, 67.647.000 euro.

Ajo tashmë është kompania më e madhe përfituese e parave tona të energjisë. “Rudnap” për këtë periudhë ka marrë 46.45 % të parave tona publike të energjisë, pra deri në shtator 148 milionë euro. Kompania e dytë pas saj ka marrë vetëm 14%, dhe e treta, 12%.

Një vit më parë, në 2007, vit kur Sali Berisha e futi “Rudnap” në treg, mori vetëm 16%, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006, nuk ekzistonte fare në listë-pagesat e KESH.

Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka marrë nga paratë tona publike, 106.189.000 euro”, - tha Braçe gjatë një konference për shtyp.

Braçe tha se, kjo kompani nuk është se ka ofruar çmimin më të mirë. “Nëse për 2008 “Rudnap” është përfituesja e parë e parave, në çmimin e ofruar rezulton e pesta ndër 8 kompanitë. Pra, më e shtrenjtë, 2.13 euro/mgWh në 8.79 euro/mgWh, se kompanitë e renditura poshtë saj si përfituese. Po të huazonim aritmetikën e Sali Berishës, kjo diferencë përkthehet në një përfitim minimumi prej 7.7 milionë eurosh vetëm nga çmimi, jashtë normave të tjera tregtare.

Mbi të gjitha, këto përfitime kanë rrjedhur nga procedura jotransparente, të kufizuara dhe pa garë reale prokurimi.

Nëse do të kishin qenë gara normale e procedura të hapura, gjithçka mund të ishte e justifikuar”, - tha Braçe.

Në përfundim, Braçe tha se, shqiptarët, kur paguajnë energjinë, paguajnë dhe koston e interesave të familjes Berisha. “Pra, kjo është familja që përdor paratë e taksave tona: Vajza ofron shërbimin kundrejt pagesës për Damir Fazlliçin, babai i saj kryeministër i jep asaj 106.4 mln euro në më pak se 2 vjet nga paratë e taksave tona.

Shqiptarët që sot janë pa drita, duhet të dinë se kaq na kushton mbajtja e familjes Berisha. Shqiptarët, me fat që sot kanë drita, duhet të dinë se në çmimin e çdo kilovati që paguajnë, paguajnë edhe koston e interesave të familjes Berisha në energji”, - tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›