Feimi dhe kartat e identitetit
Antena brenda familjes
Dje, Flamuri pati një ditë të sikletshme. Doktori e thirri në mëngjes i gëzuar dhe e lajmëroi të bëhej gati të shkonin te minibashkia për të promovuar nisjen e printimit të kartave të identitetit.
- Flamur do të vish me mua sot. Do shkojmë te minibashkia jote, aty do bëjmë kartën e identitetit. Është e thjeshtë. Do futësh gishtat në skaner, pastaj sytë dhe të del vetë emri aty.
- Dakord, - tha Flamuri. - A duhet pasaporta me vete?
- Flamur, asgjë s’duhet. Plotëson një formular, më kanë thënë këta, dhe pastaj çdo gjë e bën për pesë minuta.
Pas një ore u nisën te minibashkia. Një turmë e madhe pensionistësh prisnin në radhë të tmerruar, se iu kishin thënë, po nuk aplikuan deri më 1 shkurt, nuk ka pensione. Kartat e identitetit bashkë me pasaportën kushtojnë 120 mijë lekë të vjetra, ndërsa shumica e pensioneve janë 100 mijë lekë të vjetra. Sapo panë makinën e Berishës, pensionistët u hapën. U afruan te sporteli. Nëpunësja e gjendjes civile i dha dorën Berishës dhe filloi t’i raportonte. “Kemi dy orë, - tha, - por vetëm një klient ka aplikuar. Me këta të tjerët ka probleme. S’kanë emrin në rregull në regjistër, ka shumë pasaktësi dhe pa rregulluar ato, nuk pranojnë të aplikojnë. Disave nuk u merren shenjat e gishtave, se i kanë gishtat e copëtuar nga punët. Të tjerë kanë problem me sytë. Kemi shumë vështirësi.”
- Mos u mërzit, - i tha Berisha. - Provoje këtë njëherë. Ky asht i kollajtë.
Flamuri u afrua. Vuri gishtin e majtë mbi aparatin që merr shenjat. Pastaj të djathtin, pastaj të dhjetë gishtat…. Nuk punonte sërish aparati.
- Çfarë ka? - tha Berisha.
- Duhet të fus emrin, - i tha nëpunësja.
- Flamur, - i tha Berisha, - Flamur Noka.
Flamuri u afrua i skuqur dhe i tha me zë të ulët: “Feim, se me emrin Flamur më përkëdhelin këtu në Tiranë, ngaqë jam i pari i PD”.
- Pse, nuk është ky burri i pari i PD? - e pyeti gruaja e gjendjes civile.
- Ky është i pari i qeverisë, - i tha Flamuri me zë të ulët.
- Çfarë i thua? - e pyeti Berisha që po humbiste qetësinë nga vonesa.
- Asgjë, e sqarova për emrin e babait, - i tha Flamuri.
- Vazhdo shpejt, se po presin njerëzit.
Vazhdoi procedura, shenjat e gishtit prapë nuk punonin.
- Fut ato gishtat e atij tjetrit, - tha Flamuri, - sa të printohet, se duan ta shikojnë gazetarët.
- Mirë, - tha nëpunësja e shkretë, e tmerruar nga pritja e kryeministrit dhe humbja e qetësisë.
- Po as sytë nuk t’i merr ky dreq aparati, - tha ajo.
- Fut sytë e atij tjetrit, - tha Flamuri.
I futi dhe ato. Pas 20 minutash më në fund karta u printua. Berisha e mori në dorë i gëzuar dhe e lexoi para kamerave.
- Feim Noka, - tha, - ta gëzosh kartën….!
Pastaj u kujtua për emrin
- Pse e ka Feim kjo? - tha.
- Është emri i babait, - tha Flamuri, - se s’doja ta bëja me emrin tim këtu, se e kam gjendjen civile te Bogdani.
- Po si e printoi kjo, kur s’e këtu gjendjen civile?
- Mos u mërzit, janë këto kartat kot që kemi për zgjedhje, s’kanë lidhje me njeriun e vërtetë. Kur të bëhet serveri, i bëjmë të rregullta.
- Ashtu? Mirë e paskeni menduar, - tha Berisha. - Po si i bëhet t’i largojmë gjithë këta njerëz në radhë, se na zunë frymën.
- E rregulloj unë, - tha Flamuri. - Thërras Ferdinand Ponin të vijë këtu dhe hapen vetë njerëzit nga era.