Rriten temperaturat, java ardhshme me mot të paqëndrueshëm
Dalin nga izolimi, hapen rrugët në disa komuna të Kukësit
Moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë të zotërojë territorin e vendit tonë përgjatë kësaj fundjave si dhe javën e ardhshme. Vranësirat, reshjet e dobëta të shiut si dhe dëborës do të jenë të pranishme në të gjithë Shqipërinë. Por një lajm i mirë vjen nga metereologët të cilët thonë se temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në të dy ekstremet e ditës, ku ajo maksimale pritet të shkojë deri në 15 gradë celcius. Sipas “Meteoalb” era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 35 km/h. Kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë 3 ballë.
Mungesa e reshjeve ka mundësuar nxjerrjen nga izolimi të disa prej zonave malore të rajonit verilindor, pavarësisht se sërish temperaturat vazhdojnë të jenë mjaft të ulëta dhe luhaten nga minus 13 gradë, në zonat e thella, deri në minus 2 gradë, në zonat fushore. Sipas Shtabit të Emergjencave civile në Kukës është përshpejtuar puna për nxjerrjen nga izolimi të zonave rurale.
Tashmë të izoluara mbeten 3 komuna në të gjithë qarkun nga 11 që ishin një ditë më parë. 33 borëpastrueset që janë shpërndarë në të gjithë rrugët e qarkut po punojnë për largimin e akullit dhe hedhjen e skorieve në rrugë. Lëvizja e automjeteve në 11 akset kryesore të qarkut vazhdon të bëhet vetëm me zinxhirë dhe me shpejtësi të ulët.
Vëmendja më e madhe është përqendruar në autostradën Kalimash-Kukës-Morinë ku vazhdon hedhja e kripës dhe skorieve. Me përmirësimin e kushteve atmosferike kanë dalë në terren edhe grupet e riparimit të defekteve të linjat elektrike të dëmtuara nga moti i keq. Nga informacionet pranë Shtabit të Emergjencave vetëm në fshatrat e thellë të tre komunave të izoluara ka problem me energjinë elektrike.
...