Mediu: Opozita të mos bllokojë integrimin, të votojë ligjet me 3/5
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në konferencën e degës së Tiranës
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, akuzoi Partinë Socialiste si përgjegjëse për mosmarrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, duke bërë thirrje njëherësh për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend. Në konferencën e Partisë Republikane, kreu i saj Fatmir Mediu kritikoi ashpër edhe kreun e opozitës Edi Rama, i cili me bllokimin e tre ligjeve të kërkuara nga BE, sipas tij po frenon ëndrrën e evropiane të shqiptarëve. “Në mënyrë krejt të papërgjegjshme, me një qëndrim antikombëtar, për interesa dhe kalkulime të ngushta partiake, Rama dhe Partia Socialiste nuk votuan tre ligje të kërkuara nga BE”, theksoi Mediu në konferencën e degës së Tiranës të PR. “Justifikimet ishin nga më të ndryshmet, ato fshihnin një kënaqësi të heshtur, për mosmarrjen e statusit dhe për ta konsideruar këtë dështim të maxhorancës, por njëkohësisht duke ndjekur një linjë, e cila tashmë është ekzistente, ajo shfaqet herë haptas dhe herë në mënyra të tjera kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke e mbuluar me luftën opozitare”, theksoi më tej kreu republikan. Ndër të tjera, kreu i PR Mediu kujtoi se çështja e bashkimit kombëtar ka qenë dhe është në themel të saj, “Çështja kombëtare është në gjendur të diskutimeve tona dhe me vite na ka distancuar dhe në 22 vjet Partia Republikane e ka pasur si bosht të partisë së saj. Të flasin për çështje kombëtare, por e vërteta historike është se përveç përpjekjeve tona, kontributeve të patriotëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare për të ndërtuar shtetin dhe kombin ne kemi pasur krah SHBA dhe BE. Nëse nuk do të vlerësonin dhe konsultoheshim me ta ne do shkonim krah rreziqeve të rrezikshme. Pra të jemi të zotët të kapitalizojmë të mirat dhe të këqijat. Të thuash sot se çështja shqiptare është në udhëkryq është utopi dhe sharlatanizëm. Shqiptarët janë faktor kryesor”, deklaroi Mediu.