E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e integrimit europian

15-12-2012 / Gazeta 55

LSI, takim në qytetin Rrogozhinës, dhjetëra anëtarësime të reja

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim entuziast më qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Rrogozhinës. Në këtë takim ka qenë i pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun  e Gjirokastrës, Vangjel Tavo. Në fjalën e tij para gjithë të pranishmëve kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se “LSI është një forcë politike e cila është në rritje të sigurt gjithmonë e më shumë pasi sipas tij qytetarët shqiptarë e çmojnë politikën konstruktive”. Sipas zotit Meta një LSI më e fuqishme do të thotë një politikë shqiptare më e përgjegjshme, do të thotë një politikë shqiptare më e arsyeshme, do të thotë një politikë shqiptare me këmbë në tokë për të zgjidhur problemet e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se “LSI është përpjekur gjithmonë të kontribuojë në maksimum për ç’tensionimin e situatës politike në vend, për të shtyrë përpara bashkëpunimin për disa procese të rëndësishme, për të shtyrë para reformat që kërkohen për integrimin evropian”.
Më pas kreu i LSI, Meta bëri dhe një herë thirrje për forcat politike shqiptarë që të gjejnë konsensusin dhe dialogun e duhur për të përmbushur detyrimet që Shqipëria ka marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas tij nuk është vonë për miratimin e tre ligjeve të rëndësishme në këtë drejtim. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se “Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit të integrimit europian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj”. Duke cituar deklaratën e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, i cili u shpreh se është vërtet për të ardhur keq që klasa politike shqiptare nuk vendosi axhendën e integrimit mbi interesat partiake, por ai ngulmoi se Bashkimi Europian inkurajon politikanët shqiptarë që të fokusohen mbi procesin e integrimit europian, Meta deklaroi se kushtet e nevojshme për tu plotësuar janë ende aty dhe duhet medoemos që të gjitha palët politike në Shqipëri të fokusojnë të gjitha energjitë e tyre mbi procesin e integrimit evropian. Ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri thirrje edhe që të shmangen spekulimet nacionaliste në vend. Zoti Meta duke vlerësuar qëndrimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, mbi këtë çështje u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim synon integrim dhe jo konflikte. Ndërkohë që në takimin e zhvilluar sot me qindra anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Rrogozhinë, duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, foli edhe mbi rolin që duhet të ketë qeveritë vendore në zgjidhjen e problemeve për qytetarët. Sipas tij çështjet që shqetësojnë komunitetin apo një qytetar të vetëm janë  kredoja e drejtuesve vendorë dhe të vetë LSI-së. Ilir Meta deklaroi se çështjet e qytetarëve janë çështje të çdo kryetari bashkie, të çdo kryetari komune, të të gjithë këshilltarëve dhe nuk mund të themi se vetëm ato çështje për të cilat përgjigjemi me ligj janë shqetësim. Sipas tij drejtuesit e përgjegjshëm i shqetëson çdo problem i komunitetit të tyre apo qoftë një qytetari të vetëm. Ilir Meta tha se kjo është kredoja e drejtuesve të LSI-së dhe kjo do të jetë edhe kredoja e Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe në të ardhmen. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se nuk duhet të ketë paragjykime politike apo kalkulime elektorale në zbatimin e ligjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›