Rritet besimi te leku, euro 137 lekë
Euro ka rënë në nivelet më të ulëta të tri viteve të fundit, në këmbim me monedhën vendase. E gjendur para një presioni psikologjik për shkak të krizës në eurozonë, mbajtësit e saj në vendin tonë kanë nisur ta konvertojnë me lekë. Si rezultat i kësaj situate, një euro është këmbyer dje në tregun e lirë të valutës me 137, nga më shumë se 140 që ishte para 10 ditësh. Ekspertë në agjencitë e këmbimit por edhe në banka pohojnë se investitorët, bankat dhe kompanitë e mëdha kanë rritur blerjet e lekut, duke lënë euron. Kjo tendencë e ditëve të fundit, në fakt ka ndikuar në rritjen e vlerës së lekut, i cili pa këtë shkak duhet të kishte një vlerë më të ulët. Në fakt, për herë të parë këto vitet e fundit leku ndihet ‘komod’, si në këmbim me dollarin, po ashtu edhe me euron. Leku është vlerësuar edhe kundrejt valutës së gjelbër, për shkak se rënia e saj në tregjet ndërkombëtare ka vijuar këto ditë, pasi bankat qendrore kryesore të botës ulën me 0.5 koston e USD-së për të çliruar në këtë mënyrë likuiditet në treg. Dollari ka kushtuar dje me 103 lekë në shitje, nga 105 që ka qenë një javë më parë. Vetëm një ditë më parë edhe Banka e Shqipërisë e ka ulur normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë në nivelin 4.75 për qind.