E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulen 6-7 mijë lekë pensionet e parakohshme, ushtarakët: ISSH të ndalë rillogaritjen

SHKRUAN: Jonida Tashi 05-12-2011 11:50

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë kërkon nga Sigurimet Shoqërore që të ndërpresin procesin e rillogaritjes për pensionet e parakohshme, të lidhura nga data 1 korrik e vitit 2009, pasi përfituesit kanë marrë pagesa gati të përgjysmuara muajt e fundit

Rikthehet debati për rillogaritjen e pensioneve të ish-ushtarakëve. Ndërsa strukturat e

Sigurimeve Shoqërore po shkonin në përfundim të këtij procesi, ish-ushtarakët kërkojnë që ai të ndalet, pasi në muajt e fundit nuk kanë marrë pagesat që u takojnë sipas ligjit. Për këtë arsye, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH) kërkon që Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) të ndalë menjëherë rillogaritjen dhe uljen e pensioneve të parakohshme, për kategorinë që përfitonte për herë të parë nga ligji Nr.10142, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2009, pasi ushtarakët kanë marrë pagesa gati të përgjysmuara muajt e fundit. Sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH-së, pensionet e parakohshme për ushtarakët që u ka lindur e drejta e përfitimit para 1 korrikut të vitit 2009, por nuk kanë përfituar para kësaj date, janë ulur me 6-7 mijë lekë të reja. Për shembull, nëse masa e pensionit të parakohshëm për një ushtarak ishte 17 mijë lekë në muaj, sipas ndryshimeve të fundit, në llogarinë e tij të pensionit tashmë derdhen 11 mijë lekë, pasi shuma e zbritur mbahet për shkak të pagesave më të larta që ata kanë përfituar më parë. Madje, jo vetëm kaq, por kjo kategori është shpallur debitore ndaj shtetit nga data 1 korrik 2009, dhe për këtë arsye, në pagesat e tyre të përmuajshme të pensionit do të mbahen lekët e kaluara tepër, por që sipas ushtarakëve janë mangët.

Problemi

Pas mbledhjes së bërë për diskutimin e kësaj çështjeje, Bordi Ekzekutiv i SHKURSH-së ka dalë me një deklaratë, në të cilën shpjegohen problemet që kanë konstatuar drejtuesit e ish-ushtarakëve me rillogaritjen e pensioneve të parakohshme, dhe masat që ata do të ndërmarrin për zgjidhjen e situatës. “Bordi Ekzekutiv i SHKURSH-së vëren me shqetësim dhe indinjatë se është duke u implementuar ligji Nr.10142, datë 15.09.2009 ‘Për pensionet suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura’, i korrigjuar me Aktin Normativ të dhjetorit të vitit 2010. Në bazë të tyre, qeveria ka nxjerrë VKM-në Nr.793, datë 24.09.2010, sipas së cilës, pensioni i parakohshëm për ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ etj., është ulur nga masa e pensionit maksimal në masën e pensionit minimal dhe përfituesit janë shpallur edhe debitorë, duke paguar një pjesë të këtij pensioni minimal çdo muaj. Për rrjedhojë, ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ etj., të cilët gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, jo vetëm kanë zbritur në nivelin e pensionit minimal, por janë shpallur edhe debitorë nga data 1 korrik 2009, duke u paguar në masën 6-7 mijë lekë të reja në muaj, pra nën nivelin e pensionit minimal. Me këtë pension ata duhet të mbajnë jo vetëm veten e tyre, por edhe familjet, si dhe fëmijët në shkollë”, - thuhet në deklaratë. Ndërkaq, sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH-së, kjo rillogaritje bie ndesh me vendimin Nr.33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, i cili argumenton se rillogaritja duhet të bëhet vetëm në ato raste kur rezultati i saj është më i lartë se aktuali, por asnjëherë kur është më i vogël, pasi cenon sigurinë juridike të ushtarakëve në pension të parakohshëm për të drejta të fituara me ligje dhe vendime të mëparshme të gjykatave. “Pra, ISSH nuk ka të drejtë të ulë masën aktuale të pensionit të parakohshëm, pasi bën krim ligjor dhe antikushtetues. Për sa më sipër, ISSH-ja duhet të ndalë menjëherë rillogaritjen dhe uljen e pensioneve të parakohshme, në rast të kundërt do të mbajë përgjegjësi penale”, - shkruhet më tej në deklaratë. Nga ana tjetër, Bordi Ekzekutiv i SHKURSH-së u bën thirrje të gjithë ushtarakëve në pension të parakohshëm, të paraqiten pranë shoqatës së ushtarakëve në qendër dhe në rrethe, për të ditur numrin e saktë të atyre që preken nga kjo rillogaritje antiligjore. Ndërkohë që kërkohet nga ushtarakët në pension të parakohshëm, të cilët nuk janë anëtarësuar, të bëhen pjesë e shoqatës dhe së bashku me kolegët e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe kategoritë e tjera, të prekura nga kjo rillogaritje, do të krijohet një komision “Ad-hoc”. Ky komision do të përcaktojë rrugët dhe mënyrat ligjore e kushtetuese, për të arritur në ndaljen dhe zgjidhjen e kësaj situate që ushtarakët e cilësojnë si “masakër financiare antiligjore e antikushtetuese”. Sipas Bordit Ekzekutiv të SHKURSH-së, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë të prekurve nga kjo rillogaritje, nuk mund të zgjidhet jo vetëm ky problem, por edhe të tjerë që kanë lidhje me zbatimin e Statusit të Ushtarakut dhe ligjeve të tjera të ngjashme për Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ dhe shërbime të përcaktuara në ligjin Nr.10142.

“Ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ etj., të cilët gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, jo vetëm kanë zbritur në nivelin e pensionit minimal, por janë shpallur edhe debitorë nga data 1 korrik 2009, duke u paguar në masën 6-7 mijë lekë të reja në muaj, pra nën nivelin e pensionit minimal”

Rregullat e rillogaritjes sipas ligjit 10142

1. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të caktuar do të rillogaritet sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, dhe pas këtij veprimi, vendoset deri në kufijtë e përcaktuar në pikën 2 të atij neni. Mbi këtë masë përfitimi zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur dhe shuma që del, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit dhe u dërgohet për t’u paguar qendrave paguese.

2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit të parakohshëm si pagë mujore

mesatare referuese më e fundit do të jetë:

a) paga referuese e datës 1 janar 1999 (data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit nr.8087, të ndryshuar) për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim;

b) paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës, pas kësaj date.

c) paga referuese në datën kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona të cilët kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999.

Akti normativ

Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto për çdo vit shërbimi.

Në çdo rast masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

Kërkesa për përfitim sipas ligjit Nr.10.142, datë 15.5.2009 nga personat që e drejta u ka lindur, por nuk është ushtruar mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.

Shumat e pensioneve të parakohshme të rillogaritura kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë i paguhen përfituesit me këste sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës.

Vendimi i qeverisë

1. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të caktuar do të llogaritet sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të ligjit Nr.10 142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, dhe, pas këtij veprimi, kur masa mujore e përfitimit, në momentin e lindjes së të drejtës, është më e vogël se pensioni bazë, sipas nenit 32 të ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vendoset sa pensioni bazë i pleqërisë. Mbi këtë masë përfitimi zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, të zbatuar për pensionet e pleqërisë në përputhje me nenin 32 të ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të përcaktuara me vendime të Këshillit të Ministrave, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur, dhe shuma që del vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit.

2. Për efekt të rillogaritjes së masës fillestare të pensionit të parakohshëm, data, mbi të cilën do të referohet pagë mujore mesatare referuese neto, do të jetë: data 1 janar 1999 (data e shtrirjes së efekteve financiare të ligjit Nr.8087, të ndryshuar) për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para kësaj date dhe kanë përfituar pension të parakohshëm nga kjo datë e në vazhdim; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim para datës 1 janar 1999, por kanë plotësuar kushtin e moshës pas kësaj date; data kur ka lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm, për ata persona, të cilët kanë dalë në rezervë/lirim pas datës 1 janar 1999”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›