E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet energjia e prodhuar nga HEC-et e vegjel

Gjatë vitit të kaluar energjia e prodhuar nga HEC-et e vegjël lokalë arriti në 3,4% të totalit të prodhimit vendas. Sipas Entit Rregullator të Energjisë kjo shifër është më e lartë se prodhimi i arritur në periudhën 2009-2010 me vetëm 2% ndonëse prodhimi vjetor i energjisë elektrike në total rezultoi i ulët për shkak të thatësirës së zgjatur. Sipas të dhënave zyrtare, sot në Shqipëri janë 287 hidrocentrale të vegjël me pronësi private dhe të dhëna me konçesion, proçes që ka nisur në vitet 2006-2007, kur u dhanë 40 hidrocentralet e para, me fuqi të llogaritur për prodhim energjie deri në 210 MË.
Rritja e prodhimit të energjisë nga HEC-et private konsiderohet domosdoshmëri, nisur nga kërkesa vjetore që sa vjen e rritet për energji për shkak të zhvillimeve ekonomike, rritjes së rolit të turizmit dhe ndryshimeve klimatike. Sipas INSTAT-it, në 4 vitet e fundit kërkesa vjetore për energji është rritur me 25% më shumë.
Duke u vlerësuar dhe një mundësi e mirë për biznesin privat, kërkesat për konçesione në ndërtimin e HEC-eve vendore vijnë në rritje, ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vijon me licencime të reja për tregtimin e energjisë për kompani, të cilat janë drejt përfundimit të ndërtimit me konçesion të hidrocentraleve vendore në zona të ndryshme të vendit.
ERE ka nisur një proces licencimi për tregtim energjie për rreth 10 firma private që kanë përfunduar ndërtimin e HEC-eve të marrë me konçesion.
Vitin e kaluar ERE licencoi 36 subjekte private për prodhimin dhe tregtimin e energjisë të prodhuar nga hidrocentralet e rinj vendorë dhe për aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike. Sipas këtij enti vlerësohet se prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e vegjël do të vijojë rritjen në vitet e ardhshme, kjo për shkak edhe të mosshfrytëzimit të plotë të këtij potenciali hidroenergjitik në vend.
Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e dhëna me qera dhe ato të ndërtuara me konçension vlerësohet një burim i mirë për përballimin e kërkesës vjetore në rritje për energji nga të gjithë konsumatorët, pavarësisht kategorive të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›