Ministria e Bujqësisë nis vaksinimin kundër brucelozës

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori, nis vaksinimin kundër brucelozës. Në ceremoninë e nisjes së punës në terren u demonstrua në disa dele dhe dhi lehtësia dhe mënyra e re e bërjes së vaksinës. Konkretisht, disa veterinerë ishin në fshatin Fushë-Peshtan, ku u vaksinuan të imtat e fermave të zonës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zëvendës ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit z. Tokli Thomai, drejtori i Shërbimit Veterinar z. Altin Telo, Drejtori Rajonal i Bujqësisë së Beratit si dhe veterinerë të zonës.
"Fushat që fillojmë sot është një nga më të rëndësishmet për ministrinë e Bujqësisë, për fermerët, për konsumatorët dhe për ekonominë e vendit. Është një veprimtari që për rëndësinë që ka financohet nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare, konkretisht me rreth 5.7 milionë euro dhe 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit. E rëndësishme është që këtë proces, gjatë këtij vitit e zbatojmë në një model të ri, model të mbështetur në të dhëna të sakta dhe në bazë të një regjistri dixhital të fermave në Shqipëri. Është një fushatë që ndikon në shëndetin e të gjithëve ne që tregon qartë progresin e bërë në fushën e konkurueshmërisë." - tha zëvëndësministri Tokli Thomai.
Fushata e quajtur "Një Pikë në Sy" do të zgjasë 45 ditë dhe një ekip prej 750 veterinerësh do të angazhohen për të vaksinuar rreth 2.5 milion dele e dhi si edhe rreth 85 mijë mbajtës të kafshëve dhe persona të tjerë të lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me to.
Studimet kanë treguar se në Shqipëri bruceloza te delet dhe dhitë është e pranishme në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është e përhapur nga jugu i Shqipërisë në rajonin qendror dhe atë verior përgjatë viteve të fundit.