E Diel, 1 Nëntor 2026

Nora: Luftëtari fitoi me meritë, nuk e fal as Kukësin

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Sulmuesi gjirokastrit Arlind Nora tregon gjendjen që përjetoi pas humbjes së 11-metërshit dhe më pas emocionet e fitores

Luftëtari luajti të shtunën një ndeshje tepër të ngarkuar nga ana shpirtërore për arsye të humbjes së 2 pikëve me Skraparin, por edhe asaj që ndodhi gjatë zhvillimit të saj. Këtu kemi parasysh humbjen e 11-metërshit nga Nora, i cili, gjithsesi, i dha fitoren ekipit gjirokastrit, duke shënuar golin e 11-të në këtë kampionat.

Kjo fitore ka vlerat e veta, në radhë të parë për pathyeshmërinë e Luftëtarit në fushën e tij, por nga një pikëpamje do të quhet fitore si e Pirros, pasi 5 futbollistë të tij u ndëshkuan me kartonë të verdhë:  Çaço, Ramadani, Baci, Raboshta dhe Devolli, ky i fundit edhe me

të kuq. Pra, kapiteni nuk do të luajë në përballjen e prapambetur që nga 24 dhjetori  i vitit të kaluar me Kukësin, ekip që pretendon edhe ai superligën. Të mërkurën do të luhet ndeshja e parë në historinë e këtyre ekipeve. Luftëtari, pasi mori revanshin me Besëlidhjen, rezulton superior me të gjithë kundërshtarët, përveç Gramshit, dhe i barabartë me lezhjanët.

Nora Me humbjen e rastit ideal për të shënuar, pra humbjes së penalltisë prej Arlind Norës, u duk se ai do të ishte antiheroi i takimit delikat, por pikërisht ky gjahtar, më i miri i Luftëtarit dhe një ndër më të mirët e kampinatit, u bë  heroi, duke shënuar  golin e artë. Penallti kanë humbur edhe futbollistë nga më të shndritshmit të rangut botëror dhe, si rezultat, ekipet e tyre kanë humbur trofe nga më të rëndësishmit. Nora ndërkaq arriti te suksesi, pra  NoraXhika (portieri që grushtoi 11-metërshin) 1-1, kurse LuftëtariBesëlidhja

1-0.  Vetë Nora për fitoren e fundit dhe ndeshjen me Kukësin, shprehet: E kam shumë të qartë se çfarë atmosfere do të krijohej në Gjirokastër, në rast se nuk do të fitonim dhe pothuajse gjithë pesha e përgjegjësisë do të binte mbi mua, sepse nuk arrita të shënoja me 11-metërsh. E ndjeva dhe u gëzova jashtëzakonisht, kur arrita të shënoj golin e fitores dhe të përmys situatën.

Natyrisht, suksesi  është rrjedhë e lojës së gjithë grupit. Dua të them se penallti kanë humbur edhe yje të futbollit botëror, sikundër edhe unë më parë, ndoshta edhe në të ardhmen, sepse nuk ka garanci absolute, pasi fitojnë edhe portierët. Thuhet se fituesi nuk gjykohet, ndaj, duke përfunduar për këtë ndeshje, them se e merituam fitoren. Ishim superiorë në shumicën e lojës dhe kundërshtari, edhe pse luajti  me grintë, nuk krijoi pothuajse asnjë rast për gol.

Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja me Kukësin, që e presim të mërkurën. Edhe ky ekip pretendon superligën, kështu që është edhe kjo një ndeshje shumë e vështirë, por them se edhe këtë herë do të dalim fitimtarë. Jemi me moral të lartë, luajmë në fushën tonë, si dhe jemi ekip më i kompletuar, edhe pse nuk do të kemi kapitenin Devolli. Këtë do ta kompensojmë me një mobilizim të jashtëzakonshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›