Rritet mbështetja për banorët e zonave të përmbytura
Hapja e numrit të disa llogarive bankare nga subjekte të ndryshme privatë dhe shtetërorë po stimulon derdhjen e shumave të konsiderueshme nga donatorë të ndryshëm si ndihmë ndaj banorëve të dëmtuar. Ndihma e ofruar fokusohet tek nevojat e emergjencës si: ushqime, ujë, medikamente, veshmbathjet, etj. Ndërkohë që shpërndarja po menaxhohet nga forcat e ushtrisë.
Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë (BDHTI) kanë shprehur solidarizimin e tyre për të mbështetur banorët në zonat e përmbytura në Shkodër me ndihma dhe u kanë bërë thirrje gjithë bizneseve shqiptare dhe të huaja për të dhënë kontribute financiare. Për këtë janë hapur dhe llogaritë në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë e Industrisë, dhe në bankat Credins dhe Raiffeisen.
Në Elbasan, rreth 20 biznese të mëdha dhe të vegjël kanë nisur të japin kontributin e tyre financiar për banorët e përmbytjes në veri të vendit në numrat e llogarisë që janë hapur për këtë qëllim në disa banka të nivelit të dytë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Ndihma të tilla me nismën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë u dhanë nga biznesi elbasanas edhe gjatë ardhjes së shtetasve kosovarë në vitin 1999, apo dhe raste të tjera fatkeqësish natyrore në vendin tonë.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhuroi sot një shumë prej 5 milionë lekësh në ndihmë të banorëve të përmbytur në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, që do të kalojë në numrin e llogarisë së posaçme të hapur për këtë rast emergjence nga Qeveria.
Shoqata e Vendorëve Socialistë shprehu gatishmërinë për të ndihmuar financiarisht të gjithë banorët e zonave të përmbytura në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës duke kontribuar me një pagë mujore për t’iu gjendur më pranë atyre. Ndërsa të gjithë punonjësit e bashkive dhe komunave dhe ndërmarrjeve të punëve publike respektive do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të kanalizimeve dhe ujësjellësave dhe në riparimin e shtëpive pasi të tejkalohet situata emergjente.
Në Vlorë janë të parët 15 biznese të mëdha nga qyteti që janë treguar të gatshëm për të mbështetur familjet e përmbytura në zonat e Shkodrës financiarisht. Në disa nga bankat e nivelit të dytë në qytetin e Vlorës për këtë qëllim do të hapen numra llogarie ku do të kontribuojnë bizneset.
Disa nga bizneset e mëdha vendase dhe të huaja që punojnë në Shqipëri i janë përgjigjur me kontribute financiare banorëve të dëmtuar. Ndër to janë "Çalik Holding" (Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT) me 150 mijë euro, kompanitë: ALbpetrol me 25 milion lekë, AMC dhe Taçi Oil me nga 50 mijë euro, Vodafon me 15 milion lekë, Posta Shqiptare 30 mijë euro, qeveria e Kosovës 200 mijë euro, shuma të tjera të ofruara nga Universiteti i Tiranës, komunitetet fetare, etj.
Thirrjeve për ndihmë të komitetit ndërministror të emergjencës civile drejtuar Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive në Bruksel pranë BE-së dhe Emergjencave në selinë e NATO-s i janë përgjigjur disa shtete, si Italia, Sllovenia, Austria, Greqia, Franca dhe Moldavia.
Ndihmat e ofruara konsistojnë në mjete si helikopterë, autobote, gjeneratorë, varka dhe pompa. Ndërkohë në Shqipëri pritet të mbërrijnë ushqime, medikamente dhe veshje nga vendet që i janë përgjigjur të parët thirrjes për ndihmë.