Juve-Milan, sot në Torino një është sfidë yjesh
ROME- Juventus-Milan do të jetë kryendeshja e Serisë A, që do të luhet sot në mbrëmje në Torino. Bardhezinjtë kërkojnë të marrin fitoren e dytë radhazi pas asaj të arritur ndaj Parmës, ç'ka do të konfirmonte se skuadra ka dalë tashmë nga kriza e rëndë ku ishte futur në fund të vitit 2009. Ndërkohë trajneri çiro Ferrara kërkon të largojë hijen e Gus Hidink, që në rast të një disfate ndaj kuqezinjve, do të kthehej më fuqishëm se kurrë në pistën për të drejtuar "Zonjën". "Ky kapitull për Hidink nuk do të mbyllet kurrë, pasi të gjithë ne trajnerët jemi të lidhur me rezultatet, - deklaroi tekniku bardhezi në konferencën e djeshme për shtyp. - Unë ndjehesha i qetë para ndeshjes me Parmën, por ndjehem i qetë edhe tani. Nuk po e konsideroj një finale, sepse herën e fundit që e bëra këtë (kundër Bajernit), u mundëm", shtoi Ferrara. Trajneri i Juves pranoi se të përballesh me Milanin në këto momente nuk është aq e lehtë, duke parë formën dhe cilësinë e kuqezinjve. "Si futbollist jam përballur gjithnjë me një Milan më cilësor në krahasim me ne, por Juve ka patur karakteristika të tjera. Duhet të jemi shumë grintozë, kështu kemi qenë gjithnjë", tha ai. Përballë do të jetë një trajner i ri si ai, Leonardo. "Në fillim të sezonit ishte një periudhë pozitive për ne, ndërsa kohët e fundit Milani është rritur shumë. Milani është në formë të shkëlqyer tani. Më bëhet qejfi për Leonardon, e meriton", deklaroi Ferrara. Ai deklaroi gjithashtu se me largimin e Tiagos, pret një përforcim tjetër nga klubi, por nuk përmendi emra.(GSH/BalkanWeb)