SHBA: Qytetarë, mos udhëtoni në Shkodër, është përmbytur
Ambasada amerikanë në Tiranë i ka bërë thirrje qytetarëve të vet që për këtë kohë emergjence dhe përmbytjesh në veri të vendit, të shmangin zonën e rrezikut. Deklarata është bërë në website-in zyrtar të kësaj ambasade në Tiranë, duke marrë parasysh të gjitha të dhënat që raportohen nga mediat, por edhe nga kontaktet që kanë pasur diplomatët me zyrtarët e qeverisë shqiptare. “Shirat e fortë dhe shkrirja e dëborës kanë rritur prurjet e ujit në lumenjtë që rrjedhin në veri të Shqipërisë, e kryesisht për lumenjtë Drini dhe Buna, kanë rezultuar në një përmbytje të gjerë në hapësirën e lumit Drin, kryesisht në fushat rreth lumit dhe në rajonet e Shkodrës dhe Lezhës. Një pjesë e rrugës Tiranë-Shkodër është raportuar si e përmbytur, me një trafik që mbetet i limituar vetëm për makinat e tonazhit të rëndë. Dhe si informacion shtesë, rruga ndërmjet Shkodrës dhe Tropojës raportohet të jetë e pakalueshme për një trafik normal. Për fshatrat e Dajçit dhe Obotit është urdhëruar evakuimi i tyre nga banorët dhe të tjera evakuime janë të mundshme më vonë” thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Sipas informacioneve që jepen nga ambasada, edhe vete vullnetarët e Korpusit të Paqes që operojnë në veri të vendit janë kthyer në Tiranë si pasojë e mos-ushtrimit të aktivitetit të tyre. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë inkurajon të gjithë qytetarët amerikanë në rajonin e prekur të monitorojnë kanalet televizive për njoftimet e mbylljes së rrugëve dhe evakuimet dhe t’i shfrytëzojnë këto informacione me kujdesin më maksimal. Udhëtimet në këto zona të prekura nga përmbytje duhet të shmangen gjatë këtyre kohëve. Qytetarët amerikanë që udhëtojnë jashtë, duhet në mënyrë të rregullt të monitorojnë website-in e Ambasadës Amerikane dhe të Departamentit të Shtetit për çështjet konsullore ku mund të gjenden të gjitha informacionet për vendin. Qytetarët amerikanë që jetojnë apo udhëtojnë nëpër Shqipëri inkurajohen të regjistrohen në Ambasadën amerikane në Tiranë nëpërmjet regjistrimit në website të udhëtimit të Departamentit të Shtetit. Duke u regjistruar do të jetë më e thjeshtë për zyrtarët e ambasadës t’i kontaktojë ata në rast emergjence” thuhet në njoftimin e ambasadës. (s.g/BalkanWeb)