Rritet me 1.4% treguesi i besimit të konsumatorëve për sektorin e industrisë

Treguesi i besimit të konsumatorit ndaj zhvillimeve në sektorin e industrisë është rritur me 1.4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2009, kundrejt tremujorit të parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundmi mbi "Treguesit e Besimit", bën të ditur se megjithëse treguesi i besimit shënoi rritje në tremujorin aktual, niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me një diferencë prej 15 pikësh përqindjeje, ndikuar kjo nga kriza ekonomike ndërkombëtare. Sipas BSH-së, kthesa drejt rritjes e treguesit të besimit është ndikuar pozitivisht nga vlerësimet më optimiste të bizneseve të industrisë për situatën e prodhimit industrial, për gjendjen e inventarëve të tyre dhe për situatën e punësimit në këtë sektor. Duke iu referuar statistikave nga Banka Qendrore, vihet re se pas një rënie të lehtë në tremujorin e kaluar, çmimet e prodhimit industrial janë vlerësuar në rritje në tremujorin aktual. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, 39 për qind e bizneseve të industrisë janë shprehur se kontratat porositëse nuk kanë qenë aspak të mjaftueshme (tremujorin e kaluar ky tregues ishte 55 për qind). Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të bizneseve të industrisë ka njohur rritje me 4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë, duke shënuar vlerën 65.7 për qind. Banka e Shqipërisë vlerëson se, pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e aktivitetit të tyre si dhe të ekonomisë në përgjithësi në tremujorin e tretë të vitit janë më optimiste krahasuar me vlerësimin për situatën e tyre korrente. Ndërkohë, në një aspekt më të përgjithshëm, vlerësimi i bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi ka regjistruar rritje në tremujorin e dytë, në ndryshim nga rënia e theksuar në tremujorin e parë, bën të ditur BSH-ja në raportin e fundit mbi treguesit e besimit. Vrojtimi i realizuar nga Banka e Shqipërisë mbi treguesit e besimit, është një eksperiencë e re që Banka Qendrore ka nisur në fillim të këtij viti, mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare. Vrojtimi i realizuar te konsumatorët për besimin që ata kanë mbi tregues të ndryshëm ekonomik, vlerësohet nga ekspertët bankarë si një indikator i rëndësishëm për parashikimet zyrtare ekonomike.
...