Topalli mori pjesë sot në përvjetorin e Masakrës së Valmirit në Mirditë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte sot në Rrëshen, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të masakrës së 17 gushtit të vitit 1949, e njohur si masakra e Qafë Valmirit. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Kryetarja Topalli shprehu respektin dhe mirënjohjen e saj për të gjithë burrat e gratë e Mirditës, të cilët u vranë nga regjimi komunist për shkak të vendosmërisë së tyre në besimin tek liria. Sipas saj, "ky përvjetor duhet të qëndrojë si një reflektim i thellë dhe memorie e fortë edhe për të ardhmen. Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe forcën për të falur. I fortë dhe me kurajo është ai që fal dhe ju e keni bërë këtë, më shumë se kushdo tjetër, me një fisnikëri të paparë, forcë dhe kurajo të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e mirë", tha Kryetarja Topalli. Sipas Kryetares së Kuvendit, "nuk ishte rastësi që terrori dhe dhuna më e madhe është ushtruar në Mirditë. Kjo ishte zona që qëndroi më fort dhe ndaj së cilës regjimi nuk mundi të gjente zgjidhje tjetër, por veçse të provonte më ekstremen, t’i përçante njerëzit, ta përçante krahinën dhe të tentonte t’i vendoste njëri kundër tjetrit", tha ajo. "Ne tani ndihemi si një komb i ringjallur", tha Kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se "edhe pse me një histori jashtëzakonisht të vështirë, ky komb gjeti energjitë që të besojë te liria dhe te mundësitë e veta". Ceremonia vijoi para memorialit në nderim të viktimave të 17 gushtit 1949, i punuar nga skulptori i ri Kelvin Pjetri. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe deputetët e qarkut të Mirditës, Edi Paloka dhe Mark Marku, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të shoqatave dhe të institutit të të përndjekurve politikë, etj. Të pranishmit në këtë ceremoni përkujtuan viktimat e masakrës së Qafë Valmirit, e cila njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist. Ngjarja e 17 gushtit 1949 me 14 të ekzekutuar e qindra familje mirditore të internuara vinte 10 ditë pas vrasjes në Qafë Valmir të deputetit dhe sekretarit politik të Partisë në Mirditë, Bardhok Biba, pinjoll i derës kapidanore të Gjomarkaj, pas një prite që i ishte bërë në emër të "Komitetit të Maleve".
...