Rritet niveli i liqenit të Ohrit. Autoritetet: S’do lejojmë përmbytjet

Autoritetet e Maqedonisë janë shprehur të shqetësuar nga rritja e nivelit të liqenit të Ohrit dhe ekzistojnë gjasat për një shkarkim në portat e Strugës nëpërmjet lumit Drin, duke bërë që të rritet edhe më shumë niveli i ujërave të kaskadës së Drinit në anën shqiptare, pasi Drini i Zi që buron në liqenin e Ohrit bashkohet me të gjithë ujërat që përfundojnë në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës. Ditët e fundit, autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se do të shqyrtojnë me detaje situatën dhe ata nuk do të lejojnë që liqeni i Ohrit dhe Drini në anën e tyre të vërshojnë nga shtrati dhe të përmbysë tokat. Nga Shqipëria është bërë thirrje disa herë për krerët e Shkupit që të ndihmojnë Shqipërinë në këtë situatë përmbytjesh, duke mos lëshuar ujë nga portat e Strugës. Kreu i Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, deklaroi disa ditë më parë se u bënte apel zyrtarëve maqedonas që të kontribuojnë për të mos rritur prurjet në Drin.
Situata
Niveli i liqenit të Ohrit, sipas matjeve të fundit, ka arritur në 693.75 m lartësi mbidetare, që nënkupton pikën maksimale të fryrjes, që është edhe normë e definuar nga marrëveshja bilaterale ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Pala shqiptare ka kërkuar nga pala maqedonase që të ngrihet niveli i liqenit të Ohrit, duke zvogëluar ose ndalur krejtësisht shkarkimin në portat e Drinit të Zi, që të mos rëndohet situata alarmante në akumulimet në Shqipëri, që kanë shkaktuar edhe përmbytjet me përmasa të mëdha. Kjo fryrje e liqenit të Ohrit vërehet edhe me sy, duke pasur parasysh se disa shtigje të ndërtuara turistike, nga qendra e Ohrit drejt lagjes Kaneo, janë mbuluar (mbytur) me ujë, që për momentin janë jashtë përdorimit. Qytetarët e vjetër të Strugës dhe Ohrit pohojnë dhe kujtojnë vitin 1962, që e vlerësojnë ndër situatat më të vështira të përjetuara nga të reshurat hidrologjike, kur uji kishte arritur nivele edhe më të larta se tani.
Ata vlerësojnë se për momentin situata është e rënduar, por jo edhe alarmante. Alarm do të jetë nëse mbyllen të gjitha portat e shkarkimit në Drinin e Zi dhe fryrja e liqenit të Ohrit bëhet e pakontrolluar nga era që mund të fryjë nga drejtimi i jugut, atëherë uji mund të depërtojë edhe nëpër shtëpi në disa lagje të Ohrit. Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimin e Ujërave informojnë se gjendja e burimeve të Drinit në Shën Naum dhe shkarkimi në portat e lumit Drin vazhdimisht është nën vëzhgim dhe se do të ndërmerren të gjitha masat e duhura për të parandaluar vërshime dhe përmbytje nga ujërat e liqenit të Ohrit.