E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i aplikantëve për kartat e pasaportat

Ardhja e emigrantëve shqiptarë nga vendet ku jetojnë ka ndikuar në rritjen e numrit të aplikimeve për kartat e identitetit, e sidomos të pasaportave biometrike nëpër njësitë bashkiake në kryeqytet. Nëse më parë nëpër zyrat e aplikimeve kishte aplikime në një numër që nuk kalonte dhjetën, nga mesi i muajit qershor numri i aplikimeve shkon në 50-60 në ditë.
Megjithatë, akoma nuk ka mbërritur fluksi i madh i emigrantëve, të cilët do të ndikojnë në shtimin e numrit të aplikuesve të kartave dhe pasaportave apo dhe në krijimin e rradhëve të gjata.
Por duke u nisur nga fakti se tashmë numri më i madh i qytetarëve shqiptar kanë në duart e tyre kartat e identitetit, sipas përfaqësuesve të njësive bashkiake, nuk pritet që të krijohen rradhë të gjata për aplikime për kartat.
Më shumë aplikime mund të ketë për pasaportat biometrike, qoftë nga emigrantët shqiptarë apo edhe nga qytetarët që duan t'i kalojnë pushimet jashtë vendit.
Edhe pse numri i aplikimeve ka filluar të rritet, nuk ka lindur nevoja për të shtuar orarin e punës së punonjësve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›