Rritet numri i bizneseve në Lezhë, 600 subjekte operojnë vetëm në sektorin e turizmit

Sezoni turistik ka shtuar numrin e bizneseve që operojnë në Qarkun e Lezhës, ku 600 është numri i subjekteve që operojnë vetëm në sektorin e turizmit. Të dhënat janë bërë publike nga Drejtuesja e Tatimeve në Lezhë Oliana Moriseni, gjatë mbledhjes së komitetit rajonal të zhvillimit të turizmit.
“Në nivel qarku kemi rreth 600 subjekte që janë me fokus sezoni turistik”, thotë Moriseni.
Problem për Drejtorinë rajonale të Tatimeve në Lezhë mbetet prezenca e qytetareve me çelësa nëpër rrugët e Shëngjinit, të cilët lëshojnë banesa me qira për pushuesit, duke shmangur taksat.
“Janë prezentë dhe ankesat janë të jashtëzakonshme. Është një fenomen që duhet luftuar nga ato drejtori që e kanë në kompetencë. Të shkojmë drejt vetëdeklarimit sepse në këtë mënyrë rrisim në mënyrë natyrale qarkullimin. Sa i përket këtij viti, kemi një rritje të konsiderueshme të lëshimit të faturës tatimore”, shprehet Moriseni.
Sezoni turistik ka rritur dhe numrin e të punësuarve kryesisht në zonën e Shëngjinit, ndonëse bizneset kanë hasur vështirësi për të siguruar stafin.
Gazetare: Megi Mëhilli
/RTSH/