E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i të ardhurve në portin e Durrësit

Shumë prej të ardhurve janë shtetas shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë bashkëkombas nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë përfituar nga fillimi i pushimeve në vendet e Evropës Perëndimore ku jetojnë dhe punojnë për t'iu drejtuar vendlindjes.
     
Sipas burimeve nga drejtoria rajonale e policisë kufitare dhe migracionit bëhet e ditur se numri i udhëtarëve ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë. Sipas tyre, vetëm sot në sheshin e trageteve janë ankoruar 6 tragete me 2470 udhëtarë dhe 600 automjete gjithsej, ndërsa pritet që nesër numri i tyre të jetë më i lartë.
    
Në dalje të sheshit të trageteve funksionojnë 24 pika të kontrollit kufitar për udhëtarët dhe automjetet dhe deri tani përpunimi i tyre është bërë në një kohë shumë të shkurtër. Aktualisht sheshi i trageteve ka një hapësirë të përgjysmuar për shkak të punimeve që po realizohen për terminalin e ri të udhëtarëve, i cili do të jetë gati në prill të vitit 2010.
    
Që nga fillimi i këtij viti tragetet e linjave detare me Barin, Ankonën dhe Triesten janë shfrytëzuar nga 110 240 udhëtarë me 4 391 automjete në hyrje dhe 137 091 udhëtarë me 3 322 automjete në dalje nga Durrësi drejt porteve të Italisë. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti është shënuar një rritje prej 7713 udhëtarësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›