E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora 4 ditë pa ujë e drita, digjen 2 transformatore

Vonesa në instalimin e transformatorëve të rinj që pritet të vijnë nga Tirana, ka bërë që në zonën e plazhit dhe në një pjesë të qytetit të Vlorës të mungojë energjia elektrike. 

VLORE- Djegia dy herë e transformatorëve në zonën e Ujit të Ftohtë dhe vonesa në instalimin e transformatorëve të rinj që pritet të vijnë nga Tirana, ka bërë që në zonën e plazhit dhe në një pjesë të qytetit të Vlorës të mungojë energjia elektrike. Kjo situatë ka bërë që banorët të vuajnë pasojat e errësirën, ndërsa një pjesë e turistëve të ndërpresin pushimet në mes dhe të largohen. Pronarët e bareve dhe restoranteve të zonës së Ujit të Ftohtë dhe Plazhit të Vjetër janë detyruar të ndezin gjeneratorët. "Ne jetojmë me turizmin e kemi vetëm 3-4 muaj punë në vit. Nga mungesa e dritave na është shkaktuar një dëm shumë i madh, pasi pushuesit ditorë refuzojnë të vijnë, ndërsa një pjesë e pushuesve 10-15 ditorë po largohen. Nga KESH nuk na japin asnjë afat se kur do rikthehen dritat", - pohon për "Gazeta Shqiptare" Gentian M., pronar i një hoteli në plazh. Mungesa e energjisë ka bërë që të heshtin motopompat dhe banorëve t'u mungojë dhe uji. Para 4 ditësh, shkarkimi i rrufesë dogji transformatorin kryesor tek Uji i Ftohtë. Ndërkohë, pritet ardhja e 2 transformatorëve nga Tirana që të rikthehet energjia.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›