E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i viktimave në Tunizi

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 13:22

Numri i të vdekurve në Tunizi ka shënuar rritje në trazirat që kanë pasuar përmbysjen e presidentit autoritar, Ben Ali.

Raportet flasin për plaçkitje dhe shkëmbime me armë zjarri, ndërsa forcat ushtarake mbesin të pozicionuara kryesisht në kryeqytet, për të rivendosur rendin dhe zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme.

Kryetari i Parlamentit, Fuad Mebaza, ka bërë betimin si president i përkohshëm dhe ka bërë thirrje për formimin e një koalicioni të ri qeverisës.

Sipas Kushtetutës së Tunizisë, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen brenda 60 ditësh.

Qindra ushtarë kanë patrulluar nëpër rrugët e kryeqytetit Tuniz, ku stacioni kryesor hekurudhor ishte djegur dhe rrafshuar me tokë, ndërsa dyqanet ishin vjedhur pas protestave masive, që e detyruan presidentin Zine el-Abidine Ben Ali të largohet nga ky vend.

Ky lider, që e ka udhëhequr Tunizinë me grusht të hekurt për 23 vjet dhe familja e tij, kanë gjetur strehim në Arabinë Saudite.

Shumë në Tunizi e fajësojnë 74-vjeçarin Ben Ali dhe grupin e tij për korrupsion, papunësi dhe represion politik, që e ka lodhur këtë vend të vogël gjatë periudhës më të madhe të sundimit të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›