E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në Jon, 22 të humbur

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 13:09

Një anije me 263 emigrantë klandestinë u fundos dje, rreth 30 milje në perëndim të ishullit të Korfuzit.

Sipas rojës bregdetare greke, anija me gjatësi 30 metra me flamur turk, filloi të fusë ujë dhe në vazhdim u mbyt pak përpara orës 5 të mëngjesit.

Një prej klandestinëve mundi të telefonojë në një prej numrave SOS të kompanive celulare, pak para se të gjithë klandestinët të bien në ujë.

Roja bregdetare sqaroi se ka shpëtuar 241, persona ndërsa vazhdojnë operacionet për gjetjen e 22 personave të tjerë që ndodheshin në anije.

Mësohet se emigrantët janë pothuajse të gjithë nga Afganistani.

Ata kanë paguar disa mijëra dollarë secili, për tu transportuar në brigjet italiane prej trafikantëve turq.

Autoritetet greke po përgatisin me urgjencë një qendër për t’iu dhënë klandestinëve ndihmën e parë, ndërsa spitalet në zonën e Epirit janë vënë në gjendje gatishmërie.

Kërkimet me helikopterë nuk kanë rezultuar me gjetjen e të mbijetuarve, ndonëse ato po vazhdojnë ende, raportoi agjencia AP.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›