Rritet paga minimale nga 1 korriku
Nga 1 korriku i këtij viti paga minimale e punonjësve si në sektorin publik dhe në atë privat do të rritet. Qeveria shqiptare, si çdo vit, ka hartuar projektvendimin për rritjen e pagës minimale, që pritet të bëhet efektive që në fillim të muajit të ardhshëm. Sipas projektvendimit të qeverisë, paga bazë minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi do shkojë në 21 mijë lekë, nga 20 mijë lekë që është aktualisht. Gjithsesi, vendimi përfundimtar pritet të merret në 22 qershor nga Këshilli Kombëtar i Punës. Rritja e pagës minimale, këtë vit është kundërshtuar sidomos nga bizneset e fasonit, të cilat e konsiderojnë një barrë tepër të rëndë për ta, në kushtet kur bizneset e tyre po përballen me rënien e porosive nga partnerët ndërkombëtarë, e reflektuar kjo me rënien e eksporteve të fasonit me rreth 4% me bazë vjetore për katër muajt e parë të këtij viti. Gjithashtu me vendim të Këshillit të Ministrave nga 1 korriku është vendosur edhe rritja e pensioneve minimale dhe maksimale në qytet dhe pensioneve në fshat. Sipas Ministrisë së Financave nga 1 korriku pensionet në qytet do të rriten me 3,5% deri në 5% ndërsa në fshat shtesat e pensioneve do të jenë me 5% nga sa janë aktualisht.