Rritet tendeca për kurse të reja dhe formim profesonal, të kushtëzuara këto nga tregu u punës
Sektorët e ndërtimit, hoteleri-turizmit dhe industritë përpunuese, tregjet kryesore në zhvillimin më dinamik në ekonominë shqiptare, po rrisin përditë dhe më shumë "urinë" për punonjës dhe punëtorë të kualifikuar. Drejtori në Drejtorinë e Politikave të Punësimit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Muharrem Xhelili, tha se "mbi bazën e kërkesave nga vetë tregu i punës, po i kushtojmë vemendje të madhe zhvillimit të kurrikulave të reja për specialitetet më të kërkuara".
Ndërtimi: Mosha në plakje, mungesa të punëtorëve të kualifikuar
Kërkesat më të mëdha për kurse profesionale dhe trajnime për punëtorë të kualifikuar, i ka sektori i ndërtimit, ku vihet re një plakje e moshës së specialistëve. Vetëm në Tiranë përsa i përket sektorit të ndërtimit, ende mungojnë kurse afatshkurtra për specialitetet si murator, karpentier, suvaxhi, pllaka- shtrues, hekurkthyes, etj. Por për punonjës të kualifikuar, kërkesat vijnë dhe nga industritë përpunuese, që janë në zhvillim të shpejtë, ku punësimet zënë rreth 5%.
Hoteleri-turizmi: Urgjenca për shërbim të kualifikuar
Mjaft urgjente paraqitet situata për punonjës të kualifikuar apo formim profesional nga sektori i hoteleri turizmit, sidomos për zonat turistike bregdetare, ku po vihet re përherë dhe më shumë se rritja e cilësisë së shërbimeve, përbën sot një domosdoshmëri, pasi fluksi i turistëve po rritet nga viti në vit. Zonat malore rurale: Kërkesa për specialistë nga sektorët e shërbimeve- Ndryshe ndodh me zonat malore rurale, ku nevojat për kulifikime, por dhe për punësim, kanë të bëjnë me shërbimet, si sektorë të ndryshëm jetësorë. Në këto zona, tregu i punës vërteton mungesat e specialistëve më të nevojshëm, si infermier, mësues, ekonomist, etj. Prej vitesh në këto zona, vazhdon të ndodhë fenomeni i migrimit, që ka përfshirë edhe specialistë të këtyre fushave, ndërkaq, që mungon edhe kualifikimi i të rinjve për këto specialitete në zonat rurale. Për të zbutur disi vështirësi të tilla, në zonat malore të verilindjes, prej tre vitesh po funksionojnë qëndrat e formimit profesional të Lëvizshme.
Strategji publike për formimin profesional
Në përputhje me tregues të tillë, në 3 vitet e fundit, ka ardhur në rritje vëmendja për formimin profesional nga shteti dhe sektori privat, përmes rritjes së numrit të kurseve profesionale si dhe cilësisë së tyre, të cilat mbështeten në studimet e ndërmarra për kërkesat në rritje të përvitshme, që ka tregu i punës për njerëz të kualifikuar dhe për profesione të reja. Formimi profesional i burimeve njerëzore, i kthyer në domosdoshmëri dhe një detyrim që shteti ka në fushën e punësimeve të reja, po vlerësohet nga 10-të Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik: Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Durrës, Vlorë, Fier, Gjirokastër dhe ato të Lëvizshme për Zonen Verilindore.
Kurrikula bashkëkohore në Qendrat e Formimit Profesional Publik
Zbatimi i politikave, që nxisin interesin e punëkërkuesve për t’u kualifikuar në kurse për profesione të ndryshme, në 3 vitet e fundit kanë dhënë tregues mjaft pozitivë në Qëndrat e Formimit Profesional Publik në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Tepelenë. Brenda 3 viteve, në total, arrin në mbi 30 mijë vetë numri i personave të trajnuar dhe të çertifikuar në këto Qëndra. Kështu, në vitin 2005 këto qëndra çertifikuan 7004 punëkërkues, në 2006 u çertifikuan 6118 të trajnuar, ndërsa në 2007, numri i tyre arriti në 7.028 vetë. Ndërsa deri në fund të vitit 2008, parashikohet të arrijë në 7.040 numri i personave të trajnuar, nga të cilët 5000 në kurse të ndryshme profesionesh. Vetëm për periudhën Janar-Korrik 2008, u trajnuan 4500 persona, nga të cilët, 1200 punëkerkues të papunë të regjistruar pranë zyrave të Punësimit, prej të cilëve 2.400 femra. Pas kurseve të formimit, janë certifikuar 320 vetë. "Duke nisur nga viti 2006 vihet re se po rriten kërkesat nga punëkërkuesit për trajnime në kurset e profesioneve më të kërkuara në tregun e punës, si mobileri, ndërtim, panele diellore, elektrike, riparim elektroshtepiake, duralumin etj. Më pak vijnë kërkesat për kurse tradicionale si gjuhë e huaj dhe sekretari", shpjegon Xhelili. “Nga viti 2007 tendenca përfshiu hapjen e kurseve të reja të profesioneve, që shpejtonin nivelet e punësimit pas përfundimit të kursit, më të theksuara këto në Gjirokastër, Elbasan, Tiranë, Vlorë", thotë Xhelili. Pozitive është se personat që frekuentojnë më shumë kurset e formimit profesional publik janë të moshës 16-24 vjeç, që zënë 66.5% të të trajnuarve, me një total prej 4.923 vetë. Por akoma dhe më pozitive mbetet edhe fakti që në këto kurse janë përfshirë grupe të veçanta. Në 2007-tën u trajnuan 72 romë, 35 jetimë, 10 femra të trafikuara dhe 29 persona me aftësi të kufizuar.
Qendrat private të licencuara kontribuojnë për Formimin Profesional
Ndikim pozitiv po japin edhe qëndrat private të trajnimit në të gjithë vendin. Përveç 9 Qendrave Publike të Formimit Profesional në të gjithë vendin, ushtrojnë aktivitet privat edhe 261 subjekte të licencuara në fushën e formimit profesional. Në total numri i personave në kurset e trajnimit profesional në qëndrat private, në tre vitet e fundit, arrin në rreth 24 mijë vetë. Ndonëse jo në raporte të ngjashme me formimin publik, në formimin privat vihen re kërkesa në rritje për kurset e gjuhëve të huaja dhe kompjutera. Në këto qëndra, pjesën më të madhe të kursantëve e zënë femrat dhe të papunët.
Kurikulat e punesimit me standardet e BE-së
Në tre vitet e fundit, me mbështetje dhe në bashkepunim me programin CARDS, Ministria e Punës, Çeshtjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta, ka punuar me tregues të monitorueshëm sipas metodave modulare të BE-së për ripunimin e kurikulave. Për rritjen e eficencës së qëndrave të formimit profesional, kjo Ministri ka përzgjedhur modelet që afojnë Italia, Zvicra, apo vende të tjera të BE-së, në bazë të marrëveshjeve përkatëse. Drejtoria e Politikave të Punësimit në MPCSSH, së bashku me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe projektin e Binjakëzimit, që mbështet Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, kanë ndërmarrë rishikimin e disa amendimeve për ligjin "Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqiperisë", që së shpejti, pritet të miratohet në qeveri dhe Kuvend.
Arsimi dhe formimi profesional gjen mbështetjen e grupit donator të DACH–PLUS
Qeveria shqiptare synon rritjen e pjesëmarrjes në arsimin dhe formimin profesional të 40% të numrit të përgjithshëm të nxënësve që vazhdojnë arsimin e mesëm në Shqipëri, por edhe afrimin e tyre me botën e punës. Ky objektiv ka gjetur mbështetjen e Grupit Donator DACH–PLUS, që prej vitesh kontribuojnë në përmirësimin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Prania e tyre vjen nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të sistemit, hartimit të politikave dhe kurrikulave të reja, krijimit dhe mbështetjes së institucioneve të nevojshme për mirëfunksionim e arsimit dhe formimit profesional, punës për përfshirjen e partneritetit social në këtë arsim, asistencës teknike, pasurimin e kabineteve të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit, si dhe koordinimin e përpjekjeve donatore të sektorit për efikasitet maksimal. Këto objektiva kërkojnë shumëllojshmëri të kurseve, gjë që nga ana tjetër nxit bashkëpunimin e të gjithë grupeve të interesit në të gjitha frontet, që nga hartimi i politikave, financimi i arsimit dhe formimit profesional, administrimi dhe ofrimi i arsimit dhe formimit dhe për rrjedhojë decentralizimi në vendimmarrje. Të gjitha këto u trajtuan në kuadër të konferencës kombëtare "Drejt një Arsimi dhe Formimi Profesional Tërheqës (AFP) dhe më pranë Botës së Punës", organizuar sot në Hotel "Tirana International" nga Grupi DACH–PLUS, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Konferenca synon të trajtojë çështjet që lidhen me praktikat pozitive të bashkëpunimit dhe partneritetit në AFP brenda kuadrit ligjor ekzistues; rrjedhojat e rritjes së numrit të nxënësve dhe kursantëve në arsimin dhe formimin profesional; rolin e llojeve bashkëkohore të kurseve si të mësuarit gjatë gjithë jetës, sistemi 2+1+1, kurset e arsimit të pasmesëm; reformimin e organizimit dhe funksionimit institucional të sistemit në kuadër të afrimit të AFP-së me tregun e punës dhe të rritjes së numrit të nxënësve dhe kursantëve. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, në fjalën e tij solli në vëmendje se kjo konferencë vjen në kohën e duhur për të marrë masa të shpejta dhe për të përsosur situatën në fushën e arsimit dhe formimit profesional. "Në këtë mënyrë ne i përgjigjemi ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale që kanë ndodhur në vendin tonë si rezultat i kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e lirë të tregut, të cilat kanë ndikuar dukshëm edhe në fushën e arsimit dhe formimit profesional (AFP)", tha ai.
Nga ana e tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të modernizuar shkollat e arsimit profesional dhe kapërcimin e hierarkive që krijojnë mure ndarës mes ministrive dhe që pengojnë sistemin e arsimit dhe formimin profesional. Përgjatë konferencës u arritën disa rezultate të prekshme, që shkonin përtej analizës së problemeve, u ofruan disa zgjidhje praktike nga pjesëmarrësit dhe u propozuan rrugë të reja për zbatimin e politikave në fushën e arsimit dhe formimit profesional.