Qeveria jep 1.1 milion dollarë për fermerët në Vlorë
1.1 milionë USD është vlera e fazës së parë të projektit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për mbështetjen financiare ë fermerëve të qarkut të Vlorës, gjatë vitit 2009, shifër kjo dy herë më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Eduard Dervishaj tha se "përmes këtij granti të qeverisë, me anë të një skeme efektive, do të mbështeten sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe pemtarisë, ku fermerët do të aplikojnë me projekte konkrete. Janë shtuar dukshëm prioritetet, ndërkohë që skema do të jetë shumë më efektive”, tha Dervishaj, duke shtuar se “përveç kultivimit dhe shtimit të sipërfaqeve me pemë, ullinj e vreshta gjatë këtij viti do të stimulohet zhvillimi i blegtorisë, mbarështimi i kërmillit, kërpudhave, bletëve dhe prodhimeve “bio”, biznese për të cilat norma e interesit do të financohet deri në 2 milionë lekë. Gjithashtu, sipas z. Dervishaj “do të mbështeten projektet e zgjerimit të sipërfaqeve nën normën e ujit, duke financuar ujitjen me pika, shpimin e puseve, por do të subvecionohet blerja e materialeve për serat e reja, me sipërfaqe më shumë se 2 dynymë". Vlera financiare prej 1.1 milionë euro, e destinuar për fazën e parë të projektit në 6 muajt e parë të vitit, do të pasohet dhe me një tjetër fond në periudhën e mbetur. Ajo është dy herë më e lartë, krahasuar me vitin e kaluar dhe katër herë më e madhe se viti 2007. Fondi përkatës i vitit 2008, ishte 90 milionë lekë, prej të cilit përfituan 387 fermerë, ose 2.5 herë më shumë krahasuar me vitin 2007, kur qeveia akordoi për këtë qëllim, 45 milionë lekë.
...