E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e re e ujit hyn në fuqi

SHKRUAN: Sabina Veizaj 18-03-2011 12:16

Miratohet modeli i kontratës së shërbimit ujësjellës-kanalizime nga Enti Rregullator i Ujit. Kontrata e re e ujit të pijshëm parashikon më shumë të drejta për konsumatorin shqiptar. Kontrata në fjalë parashikon të drejtën e konsumatorit për t’u dëmshpërblyer. Kjo në rastet e ndërprerjeve teknike që zgjasin më shumë se 24 orë, të cilat nuk janë shkaktuar nga forca madhore, nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme apo emergjenca, si dhe kur nuk janë njoftuar më parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhë më të gjatë se 24 orë. Gjithashtu në bazë të kontratës së re konsumatori dëmshpërblehet edhe kur uji i furnizuar nuk plotëson standardet e kërkuara nga legjislacioni në fuqi dhe si pasojë i shkakton dëme konsumatorit. Për këtë qëllim, konsumatori kryen procedurat për t’u dëmshpërblyer në përputhje me parashikimet e bëra në këtë kontratë dhe me legjislacionin në fuqi.

Përsa i përket tarifave dhe pagesave, kontrata e re e ujit parashikon që, nëse konsumatori nuk kryen pagesën e faturës brenda datës 28 të muajit pasardhës, ai

duhet të paguajë kamatëvonesën prej 0,5% të vlerës së faturës për çdo ditë vonese, por jo më shumë se 10% të vlerës së faturës. Ndërsa, në rast mospagese brenda 30 ditëve kalendarike pas afatit të përmendur, operatori ka të drejtë të ndërpresë furnizimin me ujë vetëm pasi ka njoftuar me shkrim konsumatorin të paktën 5 ditë kalendarike përpara.

Ndërsa për tarifat e reja, operatori duhet të njoftojë konsumatorin me shkrim dhe nëpërmjet medias brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit për tarifat e reja.

Kurse për ata konsumatorë që nuk kanë ujëmatës, kontrata e re parashikon që konsumi i ujit të llogaritet sipas legjislacionit në fuqi. Në këtë rast, fatura tregon shprehimisht se konsumatori nuk ka ujëmatës dhe mënyrën e llogaritjes së vlerës së faturës. Ndërsa, nëqoftëse konsumatori nuk është dakord me vlerën e faturës, ka të drejtë të paraqesë ankesë me shkrim pranë operatorit brenda 10 ditëve nga dita e marrjes në dorëzim të faturës sipas kontratës. Në të njëjtën kohë, në kontratën e re parashikohen edhe penalitetet për kundërvajtjet. Të gjitha ndërhyrjet e mundshme në sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, lidhjet e pa miratuara nga operatori dhe dëmtimet e çdo lloji përbëjnë kundërvajtje administrative dënohen me gjobë deri në 10 mijë lekë për konsumatorët familjarë; me gjobë deri në 50 mijë lekë për konsumatorët jofamiljarë dhe me ndërprerje të shërbimit të furnizimit me ujë. Por, sipas kontratës, me kërkesën e konsumatorit, operatori bën rilidhjen e furnizimit me ujë brenda 3 ditëve, pasi konsumatori të ketë paguar detyrimet ndaj operatorit dhe të gjitha shpenzimet për ndërprerjen e rilidhjen e furnizimit me ujë. Pasi të jetë bërë rilidhja, konsumatori lidh kontratë të re me operatorin. Kontrata parashikon gjithashtu që kundërvajtësit janë të detyruar të paguajnë shpenzimet e nevojshme për sjelljen e pjesës së dëmtuar në gjendjen e mëparshme dhe përgjegjësia për shkaktimin e dëmit përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi. Për sa i përket aparateve të matjes së ujti, është operatori që merr masat e nevojshme për cilësinë dhe funksionimin e ujëmatësit, sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Operatori është përgjegjës për jetëgjatësinë e ujëmatësit sipas kësaj kontrate. Kjo kontratë parashikon që konsumatori detyrohet për shpenzimet e furnizimit dhe të instalimit të ujëmatësit sipas faturës që jepet nga operatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›