Këshilltarët bashkiakë nuk paguajnë taksat

DURRËS
Kreu i bashkisë, Vangjush Dako: 50 % e anëtarëve të këshillit nuk i kanë paguar taksat vendore
DURRËS - Taksat vendore nuk paguhen nga pjesa më e madhe e familjeve në Durrës. Por, vç tyre, edhe gjysma e anëtarëve të këshillit bashkiak anashkalojnë detyrimin ligjor.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, gjatë mbledhjes së fundit të këshillit. Ai deklaroi se pagesat e detyrimeve të familjeve ndaj taksave vendore janë problematike. Durrësi numëron 46 mijë familje në total.
Nga këto 6 mijë familje janë hequr nga lista e detyrimeve të pagesave të taksave vendore, si familje në nevojë. Bashkia e Durrësit ka planifikuar që për të realizuar të ardhurat e vitit 2010, nga i cili varen edhe investimet e planifikuara, me vlerë 17 milionë euro, të mbledhë edhe taksën e pasurisë për 40 mijë familjet e tjera. Mbledhja e taksës së pasurisë në vite rezulton problematike në Durrës pasi vetëm 1/4 e familjeve e kanë paguar atë për këtë vit.
Kryebashkiaku i qytetit të Durrësit, Vangjush Dako, gjatë debatit të bërë në këshillin bashkiak ka deklaruar se nuk janë vetëm familjet e zakonshme që nuk i kanë paguar këto taksa (të cilat edhe mund të kenë justifikime për shkak të papunësisë e të ardhurave të pakta), por edhe se është gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që nuk i kanë paguar vetë taksat vendore.
Dako nuk ka vënë theksin se cilët janë këta anëtarë si krah politik e as si emër, por, sipas deklaratës së tij, 50 % e anëtarëve nuk i kanë paguar taksat vendore. Ky është një shembull i keq i klasës politike lokale që ndërsa marrin poza oratorike dhe japin mësime se si të rregullohet mirëqenia lokale për masat e familjeve të thjeshta, deklarimet e tyre mbeten vetëm deri tek ekranet televizive, por në realitet ata janë shkelës ligjesh që japin një shembull jo të mirë për popullin që mendojnë se kanë lindur për t'i dhënë mend.