E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati “Ok” projektligjit për borxhet, Obama e firmos – shmanget “katastrofa financiare” për shtetin më të fuqishëm në botë

03-08-2011 / Gazeta 55

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka nënshkruar marrëveshjen që lejon rritjen e kufirit të borxhit amerikan. Obama e nënshkroi ligjin menjëherë pas votimit të Senatit në favor të masës. Para nënshkrimit, presidenti falënderoi amerikanët. “Kongresi ka miratuar tashmë një kompromis për të reduktuar deficitin dhe për të shmangur moslikudimin që do të shkatërronte ekonominë tonë. Ishte një debat i gjatë dhe unë dua të falënderoj popullin amerikan për presionin ndaj zyrtarëve të tyre të zgjedhur, për të lënë mënjanë politikën dhe për të punuar së bashku në të mirën e vendit”- u shpreh presidenti Obama. Legjislacioni i arritur me kompromis kaloi provën më të madhe mbrëmë, kur Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët e miratoi atë me 269 vota pro dhe 161 kundër. Marrëveshja do të lejojë qeverinë të vazhdojë të marrë hua gjatë vitit 2012 në këmbim të shkurtimit të shpenzimeve prej gati 1 trilionë dollarësh gjatë 10 viteve të ardhshme.
Presidenti Obama kishte lënë si afat të fundit (dead line) për arritjen e marrëveshjes, mesnatën e 2 gushtit. Në rast të kundërt, ai paralajmëroi një “katastrofë financiare” për shtetin më të fuqishëm në botë.

Senati aprovon me votë unanime projektligjin

Senati Amerikan ka votuar marrëveshjen për shkurtimin e shpenzimeve. Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar marrëveshjen për rritjen e kufirit të borxhit amerikan, duke kaluar pengesën e fundit vetëm disa orë para afatit të Departamentit të Thesarit. Marrëveshja është miratuar mes liderëve të partive dhe Obamës. Në mbledhjen e Senatit, marrëveshja për borxhin u miratua me 74 vota “pro”. Ndërkohë që 26 senatorë kanë votuar kundër marrëveshjes, ku për miratimin e së cilës duheshin 60 vota. Ajo i është dërguar për nënshkrim Presidentit Barack Obama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›