E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e konsumit bllokon rrjetin, 6 qytete pa drita

Një defekt në linjën e tensionit të lartë ka lënë pa energji elektrike dje një pjesë të madhe të rretheve të Vlorës, Fierit, Beratit, Kuçovës, Lushnjës, Mallakastrës e Tepelenës. Autoritetet e OST-së njoftuan se defekti i rëndë ka ndodhur në sistemin e transmetimit të energjisë për boshtin e jugut të vendit, si dhe një pjesë të Shqipërisë së Mesme. Drejtues të filialit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë në Fier janë shprehur për gazetën "Shqip" se defekti që ka prekur sistemin e transmetimit të energjisë ka qenë si pasojë e rritjes së konsumit të saj. Limitatorët kryesorë janë nxehur dhe kanë pësuar defekt, duke lënë në errësirë të plotë më tepër se gjashtë qytete. Energjia është shkëputur për shkak të këtij defekti në orën 18.45 dhe është rikthyer rreth një orë më vonë, por jo në të gjitha zonat ku ajo u ndërpre. Burimet e gazetës në filialin e OST-së tregojnë se zona energjetike e Fierit rrezikon të kalojë një dimër të vështirë, për shkak të amortizimit të një pjese të mirë të rrjetit të brendshëm shpërndarës, por edhe rrjetit të tensionit të lartë. Në periferitë e Fierit, si edhe të Beratit e Lushnjës, energjia nuk është rikthyer pas ndërprerjes nga defekti deri në orën 22.00 të mbrëmjes së të mërkurës. Ndërkohë që nuk premtohet për eliminim të defektve të tilla, drejtues të filialit të Fierit të thonë se do të nisë aplikimi i kufizimit të energjisë.

ma.tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›