Tuneli i Thirrës, i pakalueshëm edhe për punëtorët
Tuneli i Thirrës është i pasigurt jo vetëm në galerinë jugore, ku thuhet se ka pasur shembje, por edhe në galerinë veriore, e cila u hap për qarkullimin e mjeteve pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe u mbyll në muajin tetor. Ndërkohë që autoritetet përgjegjëse i mëshojnë idesë se bëhet fjalë për një problem gjeologjik të rëndomtë, që nuk sjell asnjë rrezik për projektin, punëtorët e tunelit flasin për një situatë aspak të zakonshme. Prej të paktën një jave, asnjë punëtor dhe asnjë automjet i firmës "Bechtel-Enka", që po ndërton këtë tunel, nuk lejohet të kalojë tejpërtej galerisë, por transporti bëhet nëpër të ashtuquajturin bypass, në rrugën 14-kilometërshe mbi malin e Thirrës. "Nuk na lejohet të kalojmë nëpër tunel, as qoftë edhe nëpër galerinë veriore, që u hap për makinat në verë dhe na duhet të bëjmë rreth gjysmë ore rrugë të vështirë mbi mal kur nevojitet të dalim nga njëra anë e tunelit në tjetrën", tha një punëtor, i cili nuk do të identifikohet. Pas shembjes së fundit në kilometrin e tretë të galerisë jugore të tunelit, aty nuk është lejuar të afrohet asnjë person, përveç specialistëve të firmës dhe një grupi punëtorësh të specializuar e të besuar. E drejta për t‘u informuar në lidhje me avarinë iu mohua dy ditë më parë edhe 13 deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët u ndalën në portën e tunelit, ndërkohë që përpara tyre, edhe prefekti i Kukësit nuk u lejua të futej në tunel. I nxitur edhe nga kjo mungesë transparence, deputeti socialist, Namik Dokle, përsëriti dje kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të rihapur hetimet në lidhje me akuzat për abuzime financiare në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, e veçanërisht tunelit gjashtëkilometërsh Thirrë-Kalimash. Sipas Dokles, "shembja e tunelit të Kalimashit nuk erdhi nga presionet radiale, por nga presionet qeveritare, për të dalë mbi rregullat e teknologjisë bashkëkohore". Ai tha se "bashkë me tunelin duhet të rihapet edhe dosja kundër abuzimeve të mëdha në këtë vepër kombëtare, që duke qenë e tillë, i bën edhe më të rënda ato!"
re.rre.
re.rre.