Ministria e Jashtme përshëndet vendimin e PE
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë deklaroi dje se mirëpret miratimin që u bë në Parlamentin Europian të raportit të eurodeputetes Tanja Fajon, në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rezolutë dhe deklarata që e bashkëshoqëroi atë në emër të Parlamentit Europian dhe Këshillit, e pranuar edhe nga Komisioni Europian, konsiderohet një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin. "Në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Europian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Europian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të udhërrëfyesit", u shpreh zëdhënësi Ralf Gjoni.