Rritja e krimit dhe aksidentet, Berisha fshikullon Policinë e Shtetit
TIRANË – Rritja e kriminalitetit dhe numri i lartë i aksidenteve janë bërë shkas që kryeministri, në ndryshim nga ministri përgjegjës, të fshikullojë strukturat e Policisë së Shtetit. Gjatë analizës 1-vjetore të këtij institucioni, kreu i qeverisë, zoti Berisha, ka lëshuar kritika të drejtpërdrejta ndaj efektivëve blu dhe ka kërkuar marrjen e masave me hyrjen në fuqi të regjimit të ri të lëvizjes së shtetasve shqiptarë në zonën “Shengen”. Në analizën e policisë ishin të pranishëm drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme, kryeprokurorja Ina Rama dhe drejtues të organizatave joqeveritare. Ndër sukseset e vlerësuara është listuar puna për realizimin e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Berisha kritika
Kryeministri Berisha i kërkoi Policisë së Shtetit marrjen e masave për të mos i dëmtuar qytetarët e vendeve të tjera nga krimi i ardhur nga kriminelët shqiptarë. Në analizën vjetore, kryeministri Berisha, duke iu drejtuar drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe ministrit të Brendshëm, Basha, kërkoi hartimin e një plani të ri masash për t’iu përgjigjur me seriozitet bashkëpunimit me vendet e tjera. "Shtoni kontrollin në kufijtë detarë, ajror e tokësorë. Ju takon ju të jepni garanci për një bashkëpunim në mënyrë që qytetarët e vendeve europiane të mos kenë shqetësime. Në çdo vend ka kriminalitet dhe asnjë qeveri tjetër nuk ka pse të marrë përsipër dhe kriminalitetin e një vendi tjetër”, - nënvizoi Berisha.
Kryeministri vlerësoi përparimet e policisë në luftën kundër drogës, por kujtoi se u takon atyre që kur “të ndalojnë kamionin me drogë, të ndalojnë dhe drejtuesin e automjetit”, për të cilin shpesh raportohet se është larguar në drejtim të paditur. “Doganierit mund t’i shpëtojë drejtuesi, pasi gjatë kontrollit të automjetit për drogë ai mund të jetë larguar..., por jo juve”, - saktësoi Berisha. Gjithashtu kërkoi objektivitet në parandalimin e aksidenteve. Kreu i qeverisë kërkoi nga Policia e Shtetit të vendosë mesataren e vendeve të BE-së si objektiv sa u takon aksidenteve rrugore.
Basha dhe Burgaj
Ministri i Brendshëm, Basha, nuk ka përdorur kritika në analizën e djeshme për strukturat e rendit, por ka vlerësuar punën për realizimin e kushteve të Udhërrëfyesit të vizave dhe rolin e policisë në emergjencat civile. Ai shtoi se ndryshimet strukturore dhe reformat që po bëhen do të japin rezultate. Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh dje se viti 2010 ka qenë një vit plot me suksese për punën e policisë në luftën kundër krimit të organizuar, bandave të trafikut e korrupsionit. Burgaj theksoi se gjatë këtij viti krimi i organizuar ka shënuar rënie krahasuar me vitin 2009. Kreu i Policisë së Shtetit tha se gjatë këtij viti janë kryer 4 operacione ndërkombëtare, janë shkatërruar 21 grupe kriminale që operonin në vend. Gjate vitit 2009, Policia e Shtetit ka ekstraduar 46 persona. Ai u ndal dhe në luftën kundër dhunës në familje. Burgaj tha se ky fenomen është ende evident në vend, ku gjatë këtij viti janë shënuar plot 1974 raste të kësaj lloj dhune. Burgaj tha se lufta kundër korrupsionit nuk ka kursyer as zyrtarë në detyrë, ku disa janë prangosur dhe po gjykohen për veprat penale. Kjo nuk ka kursyer as efektive policie, ku janë kryer 37 përjashtime nga radhët e policisë. Duke iu referuar aksidenteve të ndodhura gjatë këtij viti Burgaj theksoi se numri i aksidenteve është rritur me 9 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kështu sipas tij janë shënuar 1468 aksidente ku kanë humbur jetën 365 persona.
Shifrat që pasqyrojnë gjendjen e rendit dhe sigurisë në vend, sidomos ato që kanë të bëjnë me aksidentet, luftën kundër trafiqeve apo dhunës në familje janë detaje për të cilat drejtuesit e lartë të Policisë kanë marrë dje kritika nga kreu i qeverisë. Viti 2010 shënon rritje të ndjeshme të veprave penale të krimit kundër personit, grabitjeve me armë, apo edhe aksidenteve, duke e klasifikuar Shqipërinë në vendin e parë në Europë për numrin e viktimave dhe të lënduarve në aksidentet automobilistike.
Argument
Berisha
Droga
“Unë dua të jem i hapur. Komunikatat tuaja, se u kap një kamion me kanabis, por shoferi iku, ju akuzon juve. Si mund t’ju ikë shoferi? Më mirë thoni se na e dorëzoi kamionin shoferi. Kur unë dëgjoj komunikatën e policisë se kamioni u kap, por shoferi iku, qytetarët kanë të drejtë të thonë se kamionin e dorëzoi shoferi”.
Aksidentet
“Çështja e aksidenteve rrugore është një çështje madhore për çdo vend të lirë, por, në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën, do ta gjeni në nivelet më të larta në vendin tonë. Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ne si objektiv kemi e do të kemi mesataren e Bashkimit Europian. Unë kërkoj nga policia që të programojë punën në këtë fushë, në mënyrë që të ketë një rënie tjetër më drastike e të vazhdueshme të aksidenteve. Po të shohësh këtë tregues, vendet që kanë tri-katër herë më shumë makina për frymë se ne, i kanë aksidentet tri herë më të ulëta se ne”.
Krimi në familje
“Ata që kryenin një krim në familje dënoheshin në nivelet më minimale. Unë ju ftoj ta përparësojmë në mënyrë absolute këtë krim. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion. Ai që kryen krim në familje është krimineli më i shëmtuar. Ai që vret bashkëshorten apo fëmijën është monstër. Por, në qoftë se ka një krim që mund të parandalohet më shumë sesa format e tjera të krimit, është ky krim. Ky krim nuk vjen tërësisht si aksident, si papritshmëri, por në masën mbi 90 për qind ka ecurinë, historinë e tij në atë familje”.
Box 1
REAGIMI
PS: Krimi, Policia dështoi, faji i qeverisë
Partia Socialiste e ka konsideruar të dështuar luftën e policisë për garantimin e rendit dhe të sigurisë në vend, duke akuzuar jo forcat e Policisë së Shtetit, por qeverinë. Deputeti socialist, Asllan Dogjani, u shpreh se ky është një dështim i Sali Berishës, i mungesës së vizionit, strategjisë dhe politikave dështuese të qeverisë si dhe për shkak të presionit e abuzimit të vazhdueshëm politik me strukturat e Policisë së Shtetit. Zoti Dogjani përmendi të dhëna, sipas të cilit flasin për përkeqësim të treguesve të rendit. “Rritja e numrit të vrasjeve, duke arritur në 103 vrasje në më pak se 12 muaj, 200 vrasje të tjera, të mbetura në tentative, shifra e frikshme e 1416 aksidenteve, ku kanë humbur jetën plot 316 persona dhe janë plagosur rëndë 342, e kanë marrë dëmtime 1226 të tjerë, nuk janë shifra që lënë vend për rrahje e gjoksi e demagogji”, - tha Dogjani. Sipas tij, këto janë shifra të denja për një luftë që tregojnë qartë sesa i madh është dështimi i Sali Berishës në garantimin e rendit dhe sigurisë së qytetarëve”.
Ndër të tjera, socialistët shtuan edhe krimet që rëndojnë mbi këtë forcë politike apo vepra penale që kanë tronditur opinionin publik. Dogjani përmendi vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe kryekomunarit Remzi Veseli, apo zhdukjen misterioze të Bleona Matës.
“Kryeministri i një shteti ku fëmijët rrëmbehen në prag të derës e nuk gjenden më kurrë, duhet të pranojë dështimin dhe jo të rrahë gjoksin”, - tha dje deputeti Dogjani.
TAKIMET
Ambasadori amerikan, mbështetje për Prokurorinë, urime për heqjen e vizave
TIRANË – Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, vijoi edhe dje takimet me drejtuesit e lartë të institucioneve shqiptare, ku ka ofruar mbështetje për organin qendror të akuzës dhe ka uruar ministrin e Brendshmë Basha për qarkullimin pa viza të shqiptarëve në zonën “Shengen”. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur se gjatë takimit, znj. Ina Rama bëri një pasqyrë të punës dhe paraqiti prioritetet e Prokurorisë që është fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit financiar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se zonja Rama bëri prezent mbështetjen nga ana e Ambasadës së SHBA-ve për institucionin e Prokurorisë nëpërmjet zyrës së UPDAT-it dhe programit të Sfidës së Mijëvjeçarit duke garantuar njëkohësisht për rolin e angazhimit të Prokurorisë sidomos në situatat që po kalon vendi në rrugën e integrimit.
“Ambasadori Arvizu u shpreh se e njeh rolin dhe peshën e rolin e Prokurorisë, çka e bën këtë institucion një partner të besueshëm dhe theksoi mbështetjen për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri”, - thonë burimet zyrtare të Prokurorisë.
Po dje, ambasadori Arvizu zhvilloi takime edhe me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, ku e përshëndeti fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, shprehu vullnetin e qeverisë amerikane për të promovuar dhe mbështetur forcimin e institucioneve ligj-zbatuese dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Pasardhësi i ambasadorit Uidhers, zoti Arvizu, i ardhur pak ditë më parë në Tiranë, ka vijuar takimet e para të njohjes me të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe partive politike shqiptare.
Ekstradohet nga Milano i dënuari me vrasje
TIRANË – Ekstradohet nga Italia një person i shumëkërkuar, pasi ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Policia e Shtetit bëri të ditur se pasditen e së martës nga Zyra Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Altin Nikolli, 34 vjeç, lindur në Pukë. Gjykata e Tiranës e ka dënuar Nikollin me 25 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim“ të kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtjes pa leje”. Vendimi ka marrë formë të prerë më datë 26 mars 2006, pasi nuk është bërë ankim në gjykatën kompetente brenda afateve të parashikuara në ligj. Më 9 qershor 2002, rreth orës 19:30, në Kamzë, te rruga e Laknasit, Nikolli, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, kanë vrarë shtetasin Pjetër Qafa pas një konflikti që kishte lindur pak kohë para vrasjes mes të ekstraduarit dhe viktimës. Nikolli u kap më 23 dhjetor 2006 në Komo të Italisë me qëllim ekstradimin në vendin tonë. Ai iu është dorëzuar autoriteteve të Burgjeve në Aeroportin e Rinasit.
“BOBOSHTICA”
Procesi për “dhunuesit e varreve”, shtyhet seanca gjyqësore
KORÇË - Seanca e parë për 3 të pandehurit të akuzuar për skandalin e dhunimit të varreve në Boboshticë u shty për në datën 29 dhjetor. Në fakt ka qenë një ngatërresë e Gjykatës në lidhje me adresën e njërit prej të pandehurve, punëtorit Alqi Koroveshi, i cili nuk ka marrë njoftim për seancën dhe, si rezultat, nuk është paraqitur. Të pandehur për këtë çështje janë kryetari i organizatës “OMONIA” për rajonin e Korçës, Naun Disho, i cili ka urdhëruar ndërtimin e memorialit dhe dy punëtorë që kanë ndërtuar memorialin, Alqi Korroveshi dhe Luan Zaçe, që të dy nga fshati Polenë i rrethit të Korçës. Të tre të akuzuarit po gjykohen në gjendje të lirë. Në fshatin, Boboshticë në fillim të muajit tetor, me urdhër dhe financim të organizatës “OMONIA” të Korçës u ndërtua një memorial mbi varrezat e vjetra të fshatit, me pretendimin se aty janë varrosur dy ushtarë grekë.
15 Dhjetor 2010