Rritja e pagave dhe e pensioneve jo për qëllime elektorale

Reagon PD-ja
Sipas zëdhënëses së selisë blu rritje pagash ka pasur çdo vit të këtij mandati qeverisës ndërsa ajo do të ndodhë nga 2009 e deri në 2013 e më tutje me qëllimin e parë luftën kundër varfërisë, çrrënjosjen e mjerimit dhe shpërndarjen më të mirë të të ardhurave.
TIRANE - Partia Demokratike ka hedhur dje poshtë deklaratën e deputetit të PS-së, Arben Malaj, se “rritja e pagave dhe pensioneve në kohë krize është e gabuar dhe nuk sjell asnjë benefic”, duke theksuar se kjo rritje nuk bëhet për qëllime elektorale. Zëdhënësja e PD-së, kërkoi në emër të selisë blu i tha se “se të kërkosh të mos rrisësh rrogat e pensionet në një kohë kur vetë, përveç 1500 Eurove në muaj, vjel edhe 15% dhe 2 kate për çdo leje ndërtimi si kryesocialisti Rama, është një cinizëm e shpirtkazmëri ekstreme. Për sa i përket pretendimit se kjo rritje po bëhet për qëllime elektorale mund të thuhet se kjo është shpifja dhe trillimi i zotit Rama. Rritja e pagave dhe pensioneve ka ndodhur në 2006, 2007, 2008 pa asnjë lidhje me zgjedhjet. Ajo do të ndodhë nga 2009 e deri në 2013 e më tutje me qëllimin e parë luftën kundër varfërisë, çrrënjosjen e mjerimit dhe shpërndarjen më të mirë të të ardhurave. Rritja e rrogave dhe pensioneve është një qëllim madhor për luftën kundër varfërisë e nuk ka asnjë qëllim elektoral për këtë”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Në këtë kuadër PD-ja i bën thirrje zotit Rama të lërë mënjanë “vajin për krizën e të heqë dorë nga taksomania para se ta shërojë të mërkurën qeveria me vendimin e saj”.
Pak orë më parë ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se selia rozë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve, “por jemi qartësisht kundër çdo rritjeje abuzive thjesht elektorale, që nesër do t’i bëjë pensionet, pagat, asistencën për të paaftët dhe të papunët të vlejnë më pak”.