E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina shtetërore ndez motorët e fushatës

Nga Enton Palushi

Makina shtetërore tashmë ka ndezur motorët e fushatës zgjedhore. Demokratët kanë nisur takimet e tyre intensive, të shpërndarë në të katër anët e vendit.

Spikerja Topalli në fushatë

Ajo çka bie në sy është përdorimi i çdo mjeti që kanë në dispozicion për të bërë fushatë zgjedhore.

Fjala bie, mjafton që të shohësh sitin zyrtar të parlamentit, që të shohësh si keqpërdoret masivisht nga kryetarja e Kuvendit, që e përdor atë për të bërë fushatë elektorale. Një shpurë kameramanësh, fotografësh dhe zëdhënësish që paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë e shoqërojnë atë, e cila bën fushatë si një zyrtare e Partisë Demokratike dhe jo si spikerja e Kuvendit. Kjo nuk e ndalon Topallin që të përdorë rolin e saj si kryetare Kuvendi në këto takime. Në sitin zyrtar të Kuvendit, ku çdokush pret të gjejë informacione për legjislativin shqiptar, nuk ndodh kështu. Aty ka informacione vetëm për fushatën e Topallit.

Deklaratat patetike që nuk ngjajnë askund me deklarata normale shtypi mbushin hapësirën e faqes. “Postriba, vendi ku për herë të parë nisi rezistenca antikomuniste në Evropë, ishte ndalesa e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të takimeve “NATO, ne ia dolëm”. Si askush dhe askund tjetër në Shqipëri, postribasit e ndiejnë më së shumti mrekullinë dhe sublimitetin e anëtarësimit në NATO, pasi në këtë komunë, me dhjetëra burra e gra u pushkatuan, u burgosën dhe u persekutuan nga një prej regjimeve më të egra të njerëzimit, komunizmit. Në një atmosferë mikpritëse e entuziaste, postribasit shprehën kënaqësinë e veçantë që kryetarja e Kuvendit erdhi për të ndarë me ta gëzimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike”, - thuhet në njërën prej tyre.

Abuzimi me fëmijët

Kryeministri, Sali Berisha, mblodhi dje në Korçë të rinjtë e këtij qyteti që nuk ishte e thënë të shijonin fundjavën me kohë të mirë.

Dje për ta ishte ditë mësimi. Një fakt i tillë është denoncuar dhe nga selia e Partisë Socialiste.

“Abuzimi me fëmijët dhe mësuesit për qëllime elektorale po kalon çdo cak e masë. Sot, në shkollat e Korçës është bërë mësim për t’i marrë nxënësit direkt nga klasa, e për t’i çuar në mitingun e Sali Berishës, që pasi ka prerë për të tretën a të katërtën herë shirita rrugëve akoma të pambaruara, ka folur para një turme nxënësish e mësuesish të dhunuar në lirinë e tyre politike e në të drejtën e tyre të ditës së pushimit”, - thuhet në deklaratën e PS.

Ajo çka është lehtësisht e dallueshme, është që fëmijët do jenë dekori i shëmtuar i kësaj fushate, qofte duke tundur flamujt si sfond pas shpine, qoftë duke u detyruar që të brohorasin për liderët politikë, të detyruar nga mësuesit.

Përdorimi i NATO-s

Festimet për anëtarësimin në NATO ishin në fakt hapja reale e fushatës për demokratët. Edhe pse kishin nisur kohë më parë fushatën me këtë motiv, tashmë në çdo takim kjo temë sundon. Edhe dje, duke folur me të rinjtë e Korçës, kryeministri Berisha e përmendi dhjetë herë fjalën NATO në vetëm pesë a gjashtë paragrafë fjalim.

“Së bashku me ju, në vitin 2005, ne përmbysëm sistemin e kleptokracisë dhe të mbeturinave toksike të regjimit komunist të vitit ’97. Pra, në një hark kohor 15-vjeçar ne fshimë nga faqja e dheut dy sistemet më çnjerëzore dhe ndërtuam demokracinë. Pasioni juaj për lirinë, entuziazmi, shpresa dhe dashuria juaj për vendin, supet tuaja mbartën Shqipërinë në NATO, e nxorën nga honet e diktaturës dhe e çuan atë në zenitin e NATO-s”, - tha Berisha.

Gjatë këtij takimi Berisha prezantoi Gerti Bogdanin si drejtuesin e ri të të rinjve demokratë. Edhe pse pretendohet që për FRPD të ketë një garë, siç duhej të ndodhte rëndom, Berisha tashmë e ka shpallur fituesin.

“Dhe tani dua t’ju paraqes ju, liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gert Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo që shkoi, ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipërinë, për të ecur së bashku drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian, drejt Shqipërisë së zhvilluar”, - tha Berisha.

Keqpërdorimi i medieve

Të nisësh fushatën herët ka disa përfitime. Një prej tyre është që nuk të monitoron askush nga organizmat vendas apo të huaj dhe ti mund të bësh propagandë sa të duash. Në momentin kur nis fushata, brenda një muaji mund të jesh korrekt, por tashmë zhurma është bërë.

Kështu, takimet e demokratëve ishin një hit-paradë në televizionin publik, por dhe në televizionet kombëtare, si TV “Klan”. Duke nisur nga Berisha në Korçë, pasuar nga Topalli në Shkodër, Bode në Korçë, Patozi në Kavajë dhe Mediu në Vlorë, askush nuk mund të informohej për gjë tjetër për minuta të tëra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›