Gruevski-Ahmeti, ja negociatat për qeverinë
Në Shkup pritet të nisin bisedimet për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë, mes Partisë së kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare të Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim. Sipas mediave në Maqedoni, BDI pritet të kërkojë disa prej ministrive kryesore, pas fitores mes partive shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare. Duke iu referuar të përditshmeve në Shkup, BDI pritet të kërkojë Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Jashtme ose atë të Financave, ndërsa shpreson të marrë edhe postin e kreut të Kuvendit. Jo zyrtarisht, BDI gjithashtu i ka vënë syrin Ministrisë së Arsimit, e cila është me rëndësi të madhe politike për partinë e Ali Ahmetit, e cila mund të forcojë pozicionin e saj sa i përket shkollimit në komunitetin shqiptar. Nëse Gruevski nuk ka vullnet të plotësojë kërkesat e Ali Ahmetit, atëherë ky i fundit mund të negociojë me partinë opozitare maqedonase, Lidhja Social Demokrate, e cila së bashku edhe me partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit mund të krijojnë një qeveri stabiliteti.
Pak ditë më parë, VMRO-DPMNE lëshoi akuza ndaj disa mediave në Shkup, të cilat e quanin Ahmetin si çelësin kryesor për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.