E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke mos pranuar humbjen, Rama mohon sistemin

28-06-2011 / Nga Luan Myftiu

“Vota që të jep populli, është komandë” - Napoleon

Për të dalë i pa-akuzuar para partisë, Rama nuk e pranon humbjen. Prandaj, për t’u justifikuar”, fajëson këdo, madje edhe komisionerët e vet. Pale KQZ-në e Kolegjin Zgjedhor. Se cilin la diktatura pa dënuar për dështimet e saj? Të gjithë duhej të vetëshpalleshin mëkatarë dhe t’i sajonin vetes fajësí imagjinare. Prandaj të gjithë duhet të punojnë sot për të shfajësuar Ramën. Se dhe qyrk sikur të bëhej humbja, Rama përsërí nuk do ta vishte. Ai e pranoi procesin kur u vetëshpall fitues me 10 vota, kurse taní e mohon atë. Bilé, kush e akuzon për humbjen, merr nofkën e tradhtarit. Të gjithë duhet të bërtasin se kjo ishte një fitore e mohuar e Ramës. “Kleçkat” e zbuluara gjatë rinumërímit, duhen trajtuar si vjedhje flagrante ditën për diell. Dhe jo si gabime njerëzore, si lajthitje nga lodhja, si pakujdesí, a si mirëbesim i tepruar. Jo! Të gjithë duhet t’i “rrëfehen” Ramës pse kanë mbyllur një sy, a pse kanë lejuar t’u kalonte miu në mustaqe. Madje, dhe votuesit socialistë duhet të sajojnë fabula sikur kanë hedhur enkas fletë votimi në kutitë jorespektive për t’i nxjerrë ato të pavlefshme. Të gjithë, pra, duhet të vërtetojnë gënjeshtrën se gjoja kështu nuk u numërua vullneti i vërtetë i qytetarit. Përkundrazi! U çmua si votë e rregullt ajo, të cilën shumë qytetarë e paskan “sakrifikuar” për të fshehur vullnetin e tyre të vërtetë. Të gjithë të emëruarit e PS-së duhet t’i sajojnë vetes mëkate, nëse duan t’u shpëtojnë përgjegjësíve, që po u monton dëshpërími i pangushëllueshëm i Ramës. Të gjithë duhet të klithin për manipulim, edhe kur kanë parë transparencën më prekëse. Të bashkuar si “grusht” rreth humbësit Rama, të gjithë lypset të gjejnë sebépe, nëse duan të mbeten pjesë e shpurës së këtij gjenerali, që nuk njeh veçse fitore. Rama po del kështu akuzatori më i madh, që ka njohur Historía e zgjedhjeve. Ai po fajëson këdo, madje dhe Kolegjin Zgjedhor, i cili mori vendim të mbronte idealin dyvjeçar të Ramës për shenjtërímin e votës së lirë. Sikur ky Kolegj të kishte nxjerrë fitues Ramën, do të qe shpallur prej këtij inkuizitori si etalon i Drejtësísë sublime! Por, meqë Rama rezultoi humbës, ky institucion, më i larti që aprovoi për vlerësimin e zgjedhjeve Rama, do të mbetet pjesë e skenarit, që i grabiti këtij bashkinë në “tavolinë”. I mësuar me dekada me marifétet e rrëmbimit të pushtetit me terror, Rama e kërkoi bashkinë me kërcënime. “O më lini bashkinë, o do bëj kërdinë!”. Ky qe ultimatumi, me të cilin ai synon edhe sot të dëmtojë, jo vetëm demokratët, po dhe gjithë socialistët, që aspirojnë integrimin në Europë. Kështu ky mashtrues i shëmbëllen atij fshatarit, i cili, pasi humbi gomarin, vuri tellall të kërcënonte “grabitësin” për t’ia kthyer. Por, kur e pyetën se ç’hatá do të bënte, nëse nuk ia sillnin, gjegji se “do të blinte një gomar tjetër”. Kështu, si ky bllofist qesharák, ka për të mbetur dhe kërcënuesi Rama në kujtesën e shqiptarëve! Se, ç’kërdíra mund të bëjë ky qyqar, që nuk di se ku ka kokën? Ky humbës që nuk mund ta parashohë se ku do të përfundojë madje dhe nga forumet partiake, që i ka akuzuar si mëkatare? Ç’kërdira mund të bëjë ky egoist, i babëzitur për pushtet, kur demokracía nuk është pronë e tij? Se nuk mund t’i çmojë Rama ndërkombëtarët naivë, sa të mos e kuptojnë se ky kështu po dënon një popull të tërë! Se me fantazmagorítë e një Don Kishoti “modern”, Rama po tenton të ringjallë në Shqipërí frymën e “qoftëlargut”. Se vetëm një diktator si Enver katíli mund të kontestonte një fitore kaq transparente! Vetëm ai nuk lejonte sistemin e ndërrimit të pushtetit me copa letrash (vota). Vetëm një despot i betuar mund të mallkojë kështu fitoren e dukshme të kundërshtarit! 
Për humbjen e bashkisë së Tiranës Ramës s’i ka mbetur veç të presë ngushëllimet: “Të rroni vetë”. Sidomos po kujtoi fjalën e urtë të popullit :”Të rrojë manastiri, se kallogjérë gjen plot”. Mirëpo ambicia për pushtet qënka si puna e huqit, që del vetëm me shpirtin. Se nuk ai përfaqësoka vetëm dëshirë për t’u dukur, a etje për krekosje komandimi. Jo! Kjo këmbëngulje me kërcënime tregon se ç’përfitime marramendëse duhet të kenë pasur nga bashkia Rama dhe shpura e neobllokmenëve. Mos, vallë, prandaj njerëzit me prirje autoritariste e barazojnë pushtetin me jetën e tyre? Dhe u duket idiotësí ta çmojnë karrierën politike si një angazhim shpirtëror për t’u shërbyer të tjerëve, si një hobi, a dëshirë për të lënë një emër të mirë? Nuk mund të shohin karrierën e tyre politíke materialistët vulgarë si pasion për realizimin e thirrjeve të brendshme të pjesës altruiste të qënies së tyre. As si atdhedashurí, apo talent të lindur administrimi, as étje vetëflijimi për përparimin e vendit. Jo! Rama nuk e kupton karrierën e tij politíke aspak si një privim të natyrës së tij prej anarkisti, si nënshtrim të saj ndaj një disipline për hir të gëzimeve të larta morale, që bulojnë vetëm në shpirtrat me kërkesa të mëdha. Përkundrazi ! Kundërshtimet, madje kërcënimet e tij absurde, sidomos ndaj Drejtësísë, që ka miratuar vetë, tregojnë se sa larg është ky “misionar” hipokrit nga ato hovet bujare të shpirtrave, që vuajnë për të realizuar aspirata të larta. Jo! Rama është një lider kontradiktor, që nuk ka kërkesa ndaj vetes, pa le ndaj atyre që e rrethojnë! Dhe duket si një pinjoll, që e ka nxjerrë nga hunda Enver dinaku, i cili u linte shokëve përshtypjes se nuk mund të drejtonte pa ta, ndërkohë që kishte vendosur t’i shkonte një nga një në plumb. Megjithatë, humbja e Tiranës i ka bërë shumë socialistë të shpresojnë që kjo mund ta ndihmojë Ramën të heqë dorë nga filozofia e dhunës, e gënjeshtrës dhe e mohímit të sistemit të demokracisë! Po a do të ngrihet Rama mbi ambicien e tij për të rrëmbyer të gjitha pushtetet? A do të pajtohet ai me urtësínë demokratíke të pranimit të humbjes?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›