E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet me kreditë e këqija sjellin kaos në Gjykatën e Tiranës

Të paktën një gjyqtar civil ka në zyrën e tij rreth 100 dosje të tilla. Gjyqtarët ankohen për mbingarkesë pune, e cila do të ndikojë në cilësinë e gjykimit

Laureta Rryçi

Tiranë - Kreditë e këqija sjellin kaos në Gjykatën e Tiranës. Sipas statistikave zyrtare pranë kësaj gjykate, një gjyqtar civil ka në zyrë të paktën 100 dosje vetëm për debitorët e bankave. Depozitimi i qindra padive nga të gjitha bankat e nivelit të dytë po shikohet si një problem serioz për këtë kategori gjyqtarësh. Ata kanë në një ditë të vetme të paktën pesë procese të tilla, pa përfshirë proceset për pronat, debitorët e piramidave, dëshmitë e trashëgimisë apo edhe shumë procese të tjera që sa vinë e rëndojnë zyrat e tyre. Edhe pse për shkak të profesionit që kanë ata nuk mund të japin deklarata për mediat, duke mos u identifikuar ata shpjegojnë se duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje. Mbingarkesa me të tilla dosje do të sillte një punë jo aq cilësore që mund të kërkohet prej një gjyqtari që punon në Gjykatën e kryeqytetit. Gjyqtarët nuk ngurrojnë të japin edhe zgjidhjen. Sipas tyre, shumë çështje civile që janë në formë urdhrash ekzekutimi mund të kalojnë direkt në zyrat e Përmbarimit dhe s’kanë pse të jenë pjesë e shorteve apo më pas edhe të gjykimeve për seanca me radhë.
Mbingarkesa
Statistikat gjithmonë kanë treguar se një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës gjykon në një vit sa totali i dosjeve që mund të gjykojë një gjykatë në një rreth të vendit. Mirëpo, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti këto statistika janë rënduar edhe më tej. Shkak janë bërë paditë e depozituara nga bankat e nivelit të dytë për kreditë e këqija. Fluksi i këtyre padive u ndje edhe në pjesën e dytë të vitit të kaluar, por në këto muaj po dyfishohen. Gjyqtarët tregojnë se këto dosje po krijojnë një kaos edhe për çështjet e tjera për shkak se ato kanë mangësi në të dhënat që paraqesin bankat dhe gjykimi për këto kërkesa vijon për javë me radhë. Sipas tyre, një ditë pune për ta mund të përfshijë më shumë se 10 procese, nga të cilat jo të gjitha mund të zhvillohen po brenda kësaj dite. Përveç mungesës së zakonshme të palëve në proces, zgjatja e një procesi më shumë se ç’ishte parashikuar shkakton shtyrjen e të gjitha orareve të përcaktuara. Kalendari i gjyqeve për ta është tepër i ngarkuar, duke qenë se janë në pritje dhjetëra dosje që zënë vend nëpër tavolinat e gjyqtarëve civil.
Zgjidhja
Zgjidhje kësaj situate mund t’i japë vetëm Ministria e Drejtësisë. Gjyqtarët japin si zgjidhje të mundshme kalimin direkt te zyrat e Përmbarimit të disa prej çështjeve civile të cilat kalojnë për vendim gjykate vetëm sa për hir të procedurës që ekziston. Sipas gjyqtarëve, edhe pse këto dosje mund të kalojnë direk në Përmbarim, sërish nuk cenohet e drejta e palëve për të mësuar mbi vendimin e këtyre çështje. Për të tilla dosje merret vendimi vetëm në shkallën e parë dhe nuk ka mundësi apelimi. Më pas, për ekzekutimin e tyre, ngarkohen zyrat e Përmbarimit.

100
dosje të kredive të këqija ka një gjyqtar civil në zyrën e tij në Gjykatën e Tiranës

5
procese të tilla cakton brenda një dite një gjyqtar po i kësaj gjykate

2500
është numri total i dosjeve të kredive të këqija që janë regjistruar deri sot në këtë gjykatë

“Eagle Mobile” dhuron 38 pisha për rigjelbërimin e bulevardit “Dëshmorët e kombit”

“Eagle Mobile” jep kontribut në një prej çështjeve më të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit, atë të gjelbërimit të Tiranës. Kompania më e re e telefonisë celulare ka dhuruar 38 pemë të reja në mbështetje të projektit të Bashkisë së Tiranës “Një qytetar, një pemë”. Pishat, në gjendje të rritur me gjatësi afërsisht 10 metra secila, janë mbjellë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e kombit” pikërisht në vendet ku mungonin apo ka pasur pisha të vjetra të dëmtuara. Mbjellja e tyre ka nisur më datë 9 qershor në praninë dhe inspektimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin. Projekte të tilla sociale shihen nga kompania më e re celulare “Eagle Mobile” si pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë sociale të saj në kuadër të gjelbërimit të Tiranës. Përgjegjësia sociale dhe ndihma ndaj komuniteteve kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kompanisë. Në fjalën e tij me rastin e nisjes së mbjelljeve të pishave, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Edi Rama tha “se ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha që do të prekin bulevardin ‘Dëshmorët e kombit’ dhe sheshin ‘Skënderbej’. Më shumë pemë do të mbillen në Tiranë për ta gjelbëruar edhe më shumë kryeqytetin tonë”, - tha zoti Rama. Ndërsa drejtori i kompanisë “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin, tha se “ky nuk do të jetë projekti i vetëm i Eagle Mobile, me qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për përkujdesjen ndaj mjedisit. Kjo mbështetje, duke qenë pjesë e rëndësishme e strategjisë së Eagle Mobile, do të vijojë edhe në të ardhmen së bashku me nismat që do të ndërmerren në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin dhe zbukurimin e hapësirave publike ne kryeqytet”. “Eagle Mobile” e konsideron përgjegjësinë sociale si një nga gurët e themelit në strategjitë e saj. Me këtë qëllim kjo kompani që në ditët e para të hedhjes në treg ka nisur me mbështetjen e projekteve të ndryshme sociale, ku një vend të rëndësishëm zë projekti i mbështetjes së “Fëmijëve jetimë”.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›