E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet e Detit të Zi, më 14 qershor diskutojnë mbi politikat ekonomike të rajonit



Politikanë dhe përfaqësues të institucioneve financiare të 11 vendeve anëtare të Bankës së Tregtisë dhe Zhvillimit të Detit të Zi “BSTDB”, do të mblidhen në 14 qershor në Selanik të Greqisë. Ata do të diskutojnë në një forum perspektivat e ardhshme në rajonin e Detit të Zi, ku në qendër do të jenë korridoret e komunikacionit, energjisë dhe lëndëve djegëse. Aktiviteti organizohet me rastin e 10 vjetorit të veprimtarisë së “BSTDB”-së, një institucion ndërkombëtar financiar me qendër në Selanik, i themeluar në qershor të vitit 1999 nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldova, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina. Misioni i “BSTDB”-së është të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal nëpërmjet dhënies së kredive, letrave të kreditit dhe garancive bankare për projekte financiare në sektorin privat dhe publik të vendeve anëtare. Rritja më e fundit në kapitalin e bankës është 3 bilion SDR, ose afërsisht 4.85 bilion USD, fakt që, sipas “Moody's”, e rendit “BSTDB”-në në grupin e bankave në pozicionin pozitiv për të tashmen dhe të ardhmen. Aktivitetet në këtë 10 vjetor të BSTDB-së do të ndiqen nga një numër gazetarësh nga vendet anëtare të kësaj banke. Sipas njoftimit të BSTDB-së, drejtuesit e kësaj banke do të dalin në një konferencë për shtyp ku do të prezantojnë rezultatet e aktiviteteve dhe strategjinë e këtij institucioni financiar. Më pas do të vijohet me forumin, ku do të diskutohet mbi perspektivat përtej krizës dhe rolin e institucioneve në rrugën e rimëkëmbjes. Shqipëria do të përfaqësohet në këtë forum me zëvendësministrin e Financave, Sherefedin Shehu.

“Vodafone Albania” dhe “Research in Motion” prezantojnë “Blackberry”

Kompania e telefonisë celulare “Vodafone Albania” në bashkëpunim me kompaninë kanadeze “Research in Motion” (RIM) me qendër europiane në Londër, do të prezantojë sot për konsumatorët shqiptarë një nga produktet më të suksesshme të këtyre viteve të fundit, “Blackberry Smartphones”. Përmes teknologjisë “RIM” e cila mundëson komunikim telefonik, dërgesa e-mail-i, mesazhe SMS, aplikime në Internet dhe Intranet, kalendar, multimedia si dhe aplikime të tjera për qëllime biznesi dhe argëtimi, kompania “Vodafone Albania” sjell në Shqipëri një nga produktet më revolucionare, të suksesshme dhe konkurruese të komunikimit. Duke nisur nga dita e sotme, të gjithë konsumatorët shqiptarë do të mund të zgjedhin midis disa lloje telefonash “Blackberry”, duke nisur nga “Blackberry Curve 8310”, “Blackberry Pearl 8110”, “Blackberry Bold”, si dhe të tjera modele të avancuara të cilat “Vodafone” premton se do i ketë shumë shpejt në dyqanet e saj. Të tre këta telefona përfshijnë shërbimin “GPS”-ë dhe të gjitha shërbimet e tjera të vlerësuara prej përdoruesve të “Blackberry”. Në prezantimin e këtyre aparateve ditën e sotme publiku do të ketë kontaktin e parë me funksionet e panumërta të “Blackberry Smartphones” duke mësuar të gjitha detajet e reja të këtij investimi të madh në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›