E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ushtarakët, brenda javës, ligji i ri për pensionet në Gjykatën Kushtetuese

Flet kreu i Shoqatës, Mehdi Pogaçi: “Ja pse do ti drejtohemi sërish gjykatës”. Pikat që kontestojnë ish-ushtarakët në projektligjin e ri për pensionet

Jonida Tashi

Brenda javës, ligji i ri për pensionet e ish-ushtarakëve do të depozitohet për ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Ish-ushtarakët kanë vendosur të mos i tërheqin pensionet e reja deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër nga organet gjyqësore. Duke qenë se ligji i ri, i sapomiratuar nga qeveria, për trajtimin e tyre financiar, sipas ish-ushtarakëve, përmban shumë probleme dhe diskriminime, në radhët e tyre janë shtuar së tepërmi pakënaqësitë për këtë ligj. Kjo ka bërë që ish-ushtarakët të nisin një tjetër betejë ligjore me qeverinë, që ka të bëjë me kontestimin e projektligjit të ri për pensionet. Ashtu siç kishin paralajmëruar, se nëse ligji i ri nuk do të përmbushte kërkesat e tyre kryesore për trajtimin me pensione, ish-ushtarakët kanë vendosur t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese, për të bërë drejtësi me këtë ligj.
Deklarata
Lajmi për dërgimin e ligjit të ri për bllokim në Gjykatën Kushtetuese konfirmohet zyrtarisht për gazetën nga vetë kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçi. Ky i fundit bën të ditur se brenda kësaj jave, ligji i ri për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese. “Për dy-tri ditë ne do të çojmë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin e ri të miratuar nga qeveria për pensionet. Ky ligj jo vetëm që nuk i plotëson kërkesat tona për trajtimin financiar, por i përkeqëson ato”, - deklaroi kreu i Shoqatës së Ushtarakëve. Sipas Pogaçes, rillogaritja e pensioneve të ish-ushtarakëve sipas vjetërsisë në punë dhe kontributeve, pa marrë parasysh titujt dhe gradat që ata mbajnë, përkeqëson përfitimet ekonomike dhe financiare të çdo ish-ushtaraku. “Për këtë arsye ne e çuam ligjin e mëparshëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila na dha të drejtë. Ne do ta kundërshtojmë sërish ligjin, pasi ai është një ligj që bën hapa mbrapa”, - pohon Mehdi Pogaçi.
Kërkesa
Aktualisht drejtuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë janë duke përpiluar kërkesën me të cilën do t’i drejtohen zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ligjit për pensionet. Në kërkesën e tyre ish-ushtarakët do t’i paraqesin Gjykatës se cilat janë pikat që kundërshtojnë në ligj. “Nuk pajtohemi me variantin e ri, pasi nuk e përmirëson aspak situatën e ushtarakëve, ndryshe nga sa është deklaruar vazhdimisht. Ndërkohë që ka dalë dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka shfuqizuar më 2007-n nene të një ligji tjetër, që krahasuar me variantin e miratuar disa javë më parë ishte disa herë më i mirë”, - sqaron Pogaçe. Sipas tij, rrjedhimisht do të procedohet sërish me atakim gjyqësor, veçse kësaj radhe pritet të ketë më shumë përfaqësi që do t’i bashkohen ankesës kundër efekteve që do të sjellë zbatimi i këtij ligji. “Pasi kemi shqyrtuar një për një nenet e këtij ligji, kemi vënë re se nga pikëpamja ligjore, ai cenon rëndë ushtarakët dhe përfitimet që rrjedhin prej zbatimit të tij. Ndonëse ligji është kaluar edhe nga Presidenti, jemi në afatet e duhura për të bërë ankesën në Gjykatë. Megjithatë, kësaj radhe do të ketë më shumë përfaqësi që do të kërkojnë ndihmën e gjykatës, duke përfshirë dhe kategoritë e tjera të forcave ushtarake që përfshin ky ligj. Këto të fundit kanë pakënaqësitë e tyre dhe në mënyrë kolektive ose të grupuara, brenda javës, do të depozitojmë shkresat me problemet përkatëse që sjell zbatimi i ligjit për secilën palë”, - përfundon kreu i shoqatës. Konkretisht, projektligji përfshin sigurimin shoqëror sumplementar për ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë. Sipas kreut të Shoqatës, nuk do të ndërmerret asnjë veprim tjetër derisa të dalë konkluzioni i radhës nga shqyrtimi i kërkesës në Gjykatë.

Pikat që ish-ushtarakët kundërshtojnë në ligjin e ri

Pikat që ish-ushtarakët kundërshtojnë në ligj janë të shumta, kjo jo vetëm sepse ligji i ri shkel vendimin e formës së prerë që është dhënë dy vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese, por sjell dhe eliminimin e gradave, duke vendosur shenjën e barazisë ndërmjet shumë grupeve. Shkeljet në përmbajtje të këtij ligji, sipas Shoqatës, konsistojnë në ndryshimin e skemës së pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Konkretisht, për këto shkelje Mehdi Pogaçi sqaron: “Duke parë nenet që bëjnë pjesë në këtë projekt të ri themi me plot bindjen se është drafti më i keq i hartuar ndonjëherë. Shkak për këtë bëhet ndryshimi i skemës së pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Për pensionet e parakohshme janë hequr gradat (të cilat nuk do të merren parasysh për rillogaritje), ndërsa për pensionet suplementare të pleqërisë është vendosur të merret parasysh 1 për qind e pagës për vjetërsinë. Kjo gjë ndikon në uljen e masës së pensionit për këto kategori. Fatkeqësisht ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre”.
Sipas të dhënave të zyrtare, rreth 9985 persona do të përfitojnë aktualisht nga zbatimi i këtij ligji nëse do të hyjë në fuqi ashtu siç është deklaruar. Nga detajimet e bëra rezulton se nga numri total i përfituesve, 9602 janë ushtarakë dhe 382 janë ish-policë. Ndërsa buxheti që do të shpenzojë qeveria për sigurimin e kësaj shtrese mendohet të arrijë në rreth 840 milionë lekë në vit. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e ri për pensionet, drejtuesit e Shoqatës pohojnë se ka ndryshuar skema e pensioneve suplementare të pleqërisë. Nëse në ligjet e aprovuara më parë ka pasur një skemë vjetërsie të përcaktuar që me 15 vjet shërbim merrje 40 për qind të pagës, ligji i miratuar së fundi e ka përcaktuar se çdo vit do të jepet vetëm një për qind. Kështu, nëse një ish-ushtarak ka rreth 20 vjet do të trajtohet me 20 për qind të pagës, por jo më shumë se 50 për qind. Kjo për ish-ushtarakët është shumë cenuese, pasi përsërit në thelb të njëjtën gjë të rrëzuar edhe nga organet gjyqësore më parë.

Kërkesat e ish-ushtarakëve
Eliminimin e problemeve dhe diskriminimeve në ligj për trajtimin financiar
Ndryshimin e rillogaritjes për pensionet e parakohshme dhe suplementare
Marrjen parasysh të gradave në rillogaritjen e pensioneve të parakohshme
Rritjen e shtesës mbi pagë për çdo vit vjetërsie për pensionet suplementare
Ligji i ri shkel vendimin e dhënë më parë nga Gjykata Kushtetuese

Vendimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i vitit 2007 i marrë nga Gjykata Kushtetuese për pensionet i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri më 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por, përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.

Përfitimet e ish-ushtarakëve sipas vendimit të Kushtetueses

Heq diferencimin që bënte vendimi i qeverisë për trajtimin financiar të ushtarakëve sipas kohës së lirimit në përfitimin e pensioneve të parakohshme, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, sipas kontributit të secilit.
Ushtarakët në rezervë, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtën e dypunësimit, një e drejtë që u ishte mohuar.
Kur ushtarakët në rezervë mbushin moshën e pensionit të pleqërisë, nuk do t’u ulet masa e përfitimit financiar që përfitojnë.
Ushtarakëve që kanë dalë në rezervë nga 01.10.1993 deri më 31.12.1998 do t’u njihet pensioni mbi bazën e pagës referuese (kontributet e paderdhura, do të derdhen nga shteti) e jo sipas vendimit të qeverisë që u jepte pensionin mbi pagën minimale.
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet financiare për ushtarakët nuk fillojnë më 16 prill 2006, por nga 1 janari i vitit 2006.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›