E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi Parlamentar i PD-së mbledh firmat e deputetëve

Komisioni hetimor për masakrën e Tivarit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike po mbledh firmat për krijimin e një komisioni hetimor, që do të ndriçojë masakrën e Tivarit, në të cilën u ekzekutuan pa gjyq mijëra shqiptarë të Kosovës, gjatë pranverës së vitit 1945.
Sipas deputetëve nismëtarë, komisioni do të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, prej të cilëve 7 do t’i përkasin mazhorancës dhe 6 opozitës. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, Partisë Demokratike i takon të ketë edhe kryetarin e këtij komisioni.
Nisma pritet të depozitohet sot në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe shumë shpejt ajo pritet të kalojë në seancë plenare për miratim.
Afati i veprimtarisë së këtij komisioni është parashikuar të jetë 1 vit, nisur nga rëndësia e ngjarjes, nga koha e gjatë që ka kaluar, si dhe nga përpjekjet e mëdha në vite për ta lënë atë në errësirë. Komisioni do të hetojë për zbardhjen e plotë të fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive, që çuan në masakrën e Tivarit.
Qëllimi i tij kryesor do të jetë edhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale, të atyre që me veprimet dhe mosveprimet e tyre ndihmuan në ekzekutimin e mijëra shqiptarëve. Por një tjetër pikë e objektit hetimor do të jetë edhe qëndrimi ndaj kësaj masakre të pashembullt i shtetit shqiptar gjatë viteve 1945-1990, si dhe përpjekjet e qëllimshme për të fshehur të vërtetën rreth saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›